Barcelona ka marrë një lajm të keq para përballjes me Real Madridin, pasi Dani Olmo pritet të mungojë në “El Clasicon” të së dielës, për shkak të një lëndimi të pësuar në ndeshjen ndaj Paris Saint-Germainit.

Sipas raportimeve të mediave spanjolle, “La SER” dhe “AS”, te Barcelona ekziston frika se mesfushori ka pësuar një dëmtim të muskulit aduktor, që mund ta mbajë jashtë fushave deri pas pushimit për ndeshjet e kombëtareve.

Olmo pritet t’u nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore për të përcaktuar shkallën e saktë të lëndimit dhe kohëzgjatjen e rikuperimit. Megjithatë, sipas raportimeve, mungesa e tij në përballjen e së dielës ndaj Real Madridit konsiderohet e sigurt.

Reklamë

Përveç Olmos, Barcelona pritet të mos ketë në dispozicion as mbrojtësin Eric Garcia për këtë ndeshje të rëndësishme.

Ndërkohë, mungesa e dy futbollistëve përbën një shqetësim për skuadrën katalanase, e cila synon të jetë e kompletuar për njërën prej përballjeve më të rëndësishme të sezonit.

Barcelona kundër Real Madridit zhvillohet të dielën, ndërsa mbetet të shihet se sa serioz është lëndimi i Olmos dhe kur ai do të mund të rikthehet në fushën e blertë.