Policia e Kosovës ka realizuar ekstradimin e një shtetasi suedez drejt Suedisë, i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar për vepra të rënda penale që lidhen me narkotikët.
Sipas njoftimit të Policisë, ekstradimi është realizuar më 21 tetor, nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.
Personi kërkohej nga institucionet e drejtësisë së Suedisë, ndërsa ekstradimi u mundësua përmes bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të të dyja vendeve.
Policia ka bërë të ditur se Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor do të vazhdojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit dhe hetimit të aktiviteteve kriminale, si dhe identifikimit dhe arrestimit të personave të kërkuar.