Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka bërë thirrje urgjente ministrit të Financave, Hekuran Murati, që të zhbllokojë mjetet buxhetore për projektin “Prishtina Public Buildings”, duke paralajmëruar për rrezikun që paraqet ndërprerja e punimeve në objektet arsimore dhe shëndetësore.

Sipas Ramës, për shkak të bllokimit të mjeteve buxhetore dhe mosrealizimit të pagesave, që nga 12 shtatori janë ndërprerë punimet në 18 objekte, përfshirë shkolla, çerdhe dhe objekte shëndetësore, shkruan Reporteri.net.

Ai ka bërë të ditur se në 10 prej këtyre objekteve sistemet e ngrohjes ende nuk janë funksionale, duke shprehur shqetësimin për kushtet në të cilat mund të zhvillohen aktivitetet gjatë periudhës së ftohtë.

Reklamë

Postimi i tij i plotë:

THIRRJE URGJENTE HEKURAN MURATIT: ZHBLLOKONI MJETET, MOS E RREZIKONI SHËNDETIN E FËMIJËVE TË PRISHTINËS!

Për shkak të bllokimit të mjeteve buxhetore dhe mosrealizimit të pagesave, që nga 12 shtatori janë ndërprerë punimet në 18 shkolla, çerdhe dhe objekte shëndetësore. Në 10 prej tyre, sistemet e ngrohjes ende nuk janë funksionale.

Javën e kaluar i jam drejtuar zyrtarisht Ministrit të Financave, Hekuran Murati, me kërkesë urgjente për zhbllokimin e mjeteve buxhetore për projektin “Prishtina Public Buildings”, të financuar në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Nuk ka asnjë justifikim që bllokadat financiare të vënë në rrezik shëndetin dhe sigurinë e fëmijëve tanë! Ministria e Financave duhet të veprojë menjëherë!

Reklamë

Prishtina nuk mund të mbahet peng, e aq më pak fëmijët e saj!