“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime.”. Këto janë fjalët tronditëse që Arlinda Sylaj Zekaj kishte shkruar në një letër drejtuar Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, duke kërkuar masa urgjente dhe hetim të rasteve të dhunës ndaj grave, shkruan Reporteri.net.
Gazeta Online Reporteri.net ka siguruar letrën që mban vulën e pranimit të datës 22 tetor 2026. Vetëm tri ditë më vonë, më 25 tetor, Arlinda u vra në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës. Për rastin dyshohet kunati i saj.
Në letrën e saj, Arlinda kërkonte që zyrtarët përgjegjës të përballeshin me përgjegjësinë për mënyrën se si trajtohen rastet e dhunës dhe të mos lejohej që ndërhyrja e institucioneve të vinte vetëm pasi të ndodhte tragjedia.
Ajo shprehte shqetësimin për atë që e konsideronte neglizhencë institucionale dhe kërkonte që hetimet të zhvilloheshin me urgjencë, ndërsa personat përgjegjës të nxirreshin para drejtësisë.
“Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje!. Gruaja me ligj në dorë po e vretka gruan – jo burrat! E dhimbshme deri në asht!!”, ka shkruar Arlinda në fund të letrës.
Më poshtë, letra e plotë e shkruar nga Arlinda Sylaj Zekaj:
Tri ditë pas pranimit të kësaj letre në Prokurori, 49-vjeçarja u gjet e vrarë në dhomën e gjumit, në shtëpinë e saj në fshatin Vitomiricë të Pejës.
Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se më 22 tetor, kryeprokurorja e kësaj prokurorie kishte pranuar një parashtresë nga e ndjera A.Z., përmes së cilës ajo kishte kërkuar ndërmarrjen urgjente të veprimeve ndaj zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse, duke pretenduar se ata kishin dështuar në përmbushjen e detyrave zyrtare gjatë trajtimit të rastit të saj, përfshirë edhe ekzekutimin e një vendimi gjyqësor. /Reporteri.net/.
