Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur të mërkurën një delegacion të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin parlamentar, zhvillimet e sigurisë në Kosovë dhe rajon, si dhe për avancimin e vendit drejt integrimit euroatlantik.
Delegacioni, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë më 28 dhe 29 tetor, udhëhiqet nga nënkryetari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Alberto Losacco, dhe kryetari i Komisionit Politik, Sverre Myrli.
Në takim me Haxhiun morën pjesë edhe nënkryetari i Kuvendit, Ardian Gola, si dhe deputetet Shqipe Mehmeti-Selimi dhe Besa Kabashi-Ramaj, të cilat janë anëtare të Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
Sipas njoftimit të Kuvendit, Haxhiu theksoi rëndësinë që NATO-ja ka për qytetarët e Kosovës, duke rikujtuar ndërhyrjen e Aleancës në vitin 1999, të cilën e cilësoi vendimtare për t’i dhënë fund luftës, masakrave dhe spastrimit etnik të kryer nga regjimi i atëhershëm i Serbisë.
Ajo shprehu mirënjohjen e Kosovës për ndërhyrjen dhe mbështetjen e NATO-s, duke theksuar se vendi synon të dëshmojë gatishmërinë për të marrë më shumë përgjegjësi në shërbim të paqes dhe sigurisë së përbashkët.
Gjatë takimit u diskutua edhe për situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë, përfshirë sulmin në Banjskë dhe rëndësinë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë. Po ashtu, u trajtuan zhvillimet e sigurisë në Evropë, me theks të veçantë te agresioni rus kundër Ukrainës, ndërsa Haxhiu rikonfirmoi mbështetjen e Kosovës për popullin ukrainas.
Një tjetër temë e diskutimit ishte dezinformimi dhe kërcënimet hibride, si dhe nevoja për bashkëpunim në mbrojtjen e institucioneve demokratike, besimit të qytetarëve dhe stabilitetit rajonal.
Palët diskutuan gjithashtu për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit parlamentar përmes kontakteve të rregullta ndërmjet komisioneve, shkëmbimit të përvojave dhe forcimit të mbikëqyrjes parlamentare në sektorin e mbrojtjes. Në fokus ishte edhe siguria e infrastrukturës kritike.
Haxhiu theksoi përkushtimin e Kosovës për të avancuar drejt Partneritetit për Paqe dhe anëtarësimit në NATO, duke nënvizuar rëndësinë e reformave të brendshme dhe të mbështetjes nga vendet aleate.
Kuvendi i Kosovës ka statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s që nga viti 2024.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, delegacioni ka zhvilluar takim edhe me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kuvend.