Tri ditë para se të vritej në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës, Arlinda Zekaj e kishte njoftuar Policinë se ish-kunati i saj, Albert Sylaj, e kishte kërcënuar me fjalët: “Largomu, largomu se të mys”.

Megjithatë, sipas dokumenteve policore, Sylaj ishte intervistuar vetëm në cilësinë e dëshmitarit, ndonëse Zekaj e kishte identifikuar drejtpërdrejt si personin që e kishte kërcënuar.

Më 25 tetor 2026, Arlinda Zekaj u gjet pa shenja jete në shtëpinë e saj. Albert Sylaj, për të cilin ajo kishte deklaruar se e kishte kërcënuar tri ditë më parë, dyshohet për vrasjen e saj.

Reklamë

Dokumentet policore, pjesë të së cilave i ka publikuar portali “Kallxo” tregojnë se kërcënimi ishte regjistruar në procesverbal dhe se për rastin ishte njoftuar edhe Prokuroria Themelore në Pejë. Megjithatë, shkresat e rastit ishin lënë si shënim zyrtar, në pritje të pamjeve të kamerave të sigurisë dhe udhëzimeve të mëtejshme.

Kërcënimin e raportoi në Polici më 22 tetor

Ngjarja kishte nisur rreth orës 16:00 të 22 tetorit, kur Arlinda Zekaj kishte telefonuar numrin emergjent 192, duke u ankuar se nuk po zbatohej vendimi i Gjykatës së Pejës për kthimin e saj në shtëpinë e përbashkët dhe përkujdesjen ndaj të miturit.

Vendimi gjyqësor, i nxjerrë më 16 tetor 2026, e obligonte ish-bashkëshortin e saj, Jeton Sylaj, t’ia mundësonte kthimin dhe shfrytëzimin e shtëpisë.

Sipas shënimit zyrtar të Policisë, fillimisht Zekaj ishte njoftuar se nuk kishte automjet zyrtar në dispozicion. Rreth orës 17:10, pasi ishte siguruar automjeti, patrulla policore kishte shkuar në adresën e saj në Vitomiricë.

Në shtëpi, zyrtarët policorë kishin gjetur nënën e ish-bashkëshortit, ish-kunatin Albert Sylaj dhe të miturit.

Reklamë

Arlinda Zekaj kishte deklaruar se këta persona po qëndronin në shtëpi kundër vullnetit të saj. Ndërkaq, familjarët kishin thënë se ishin aty me lejen e Jeton Sylajt.

Pas përplasjeve dhe deklarimeve kundërthënëse, Policia i kishte shoqëruar palët në stacionin policor në Pejë për intervistim.

Arlinda Zekaj e përmendi drejtpërdrejt Albert Sylajn

Sipas procesverbalit, intervistimi i Arlinda Zekajt kishte filluar në orën 19:09 dhe kishte përfunduar në orën 20:10, duke zgjatur një orë e një minutë.

Reklamë

Gjatë deklarimit të saj, ajo kishte përshkruar konfliktin në shtëpi dhe kundërshtimin ndaj qëndrimit të familjarëve të ish-bashkëshortit.

Në rrëfimin e saj, Zekaj kishte përmendur drejtpërdrejt ish-kunatin Albert Sylaj.

“Kunati im Alberti më ka kërcënuar me fjalë ‘largomu, largomu se të mys’ në momentin kur kam dashtë të marr digitronin e televizorit” – kishte deklaruar ajo.

Në procesverbal ishte shënuar edhe pyetja e hetuesve për fjalët me të cilat ishte kërcënuar.

Reklamë

Policia: “A mund të na tregoni se me cilët fjalë ju kanë kërcënuar? Dhe Arlinda ishte përgjigjur se “Kunati im Alberti në momentin kur kam dashtë të marr digitronin e televizorit më është drejtuar me fjalë kërcënuese siç janë ‘largomu, largomu se të mys’, fjalët tjera nuk më kujtohen saktë.”

Pas kësaj, hetuesit e kishin pyetur nëse kishte diçka tjetër për të shtuar në deklaratë.

Zekaj ishte përgjigjur se përgjegjësia ishte e Policisë dhe se nuk kishte asgjë tjetër për të shtuar.

Sipas dokumentacionit të siguruar, në procesverbal nuk figurojnë pyetje të tjera për rrethanat e kërcënimit, nëse ajo i frikësohej Albert Sylajt apo nëse kishte pasur kërcënime të ngjashme më herët.

Reklamë

Albert Sylaj u intervistua si dëshmitar

Pavarësisht deklarimit të Arlinda Zekajt, procesverbali i intervistimit të Albert Sylajt mban titullin “Procesverbal i marrjes në pyetje për dëshmitarin”.

Edhe në shënimin zyrtar policor të 22 tetorit, ai ishte evidentuar në rubrikën e dëshmitarëve.

Gjatë intervistimit, Sylaj e kishte mohuar kërcënimin e raportuar nga Zekaj.

Ai kishte deklaruar se gjatë përplasjes i kishte thënë asaj ta linte të qetë dhe të mos e provokonte. Sipas tij, konflikti kishte nisur kur Zekaj kishte tentuar ta merrte telekomandën e televizorit.

Sylaj kishte pretenduar gjithashtu se mes tyre nuk kishte pasur kontakt fizik dhe se kamerat e sigurisë mund të tregonin se çfarë kishte ndodhur.

Policia kishte marrë deklarata edhe nga personat e tjerë që ndodheshin në shtëpi, përfshirë të miturit.

Megjithatë, dokumentet e siguruara nuk tregojnë se më 22 tetor ndaj Sylajt ishte iniciuar procedurë në cilësinë e të dyshuarit për kërcënimin e raportuar nga Arlinda Zekaj.

Prokuroria u njoftua, rasti mbeti shënim zyrtar

Më 23 tetor, hetuesit policorë i kishin dërguar Prokurorisë Themelore në Pejë raportin për ngjarjen e një dite më parë.

Në raport ishte përmbledhur deklarimi i Zekajt dhe ishte përmendur shprehimisht kërcënimi që ajo ia atribuonte Albert Sylajt.

Policia kishte njoftuar Prokurorinë se Zekaj kishte deklaruar që Sylaj i ishte drejtuar me fjalët: “Largomu, largomu se të mys”, kur ajo kishte tentuar ta merrte telekomandën.

Në të njëjtin raport ishte përfshirë edhe deklarata e Sylajt, i cili e kishte mohuar kërcënimin.

Sipas dokumentit, prokurorja kujdestare, Arlinda Nallbani-Gacaferi, pasi ishte njoftuar për deklaratat e palëve, kishte udhëzuar që shkresat e rastit të mbeteshin për momentin si shënim zyrtar.

Palët ishin udhëzuar të siguronin pamjet e kamerave të sigurisë në shtëpi dhe t’i dorëzonin ato si prova. Më pas, parashihej që prokurorja të kontaktohej sërish për udhëzime të mëtejshme.

Dokumentacioni nuk tregon nëse pamjet e kamerave ishin siguruar, nëse Prokuroria ishte kontaktuar përsëri apo nëse ishin ndërmarrë veprime të tjera lidhur me kërcënimin e raportuar.

Më 22 tetor u vlerësua rreziku, tri ditë më vonë u vra në të njëjtën shtëpi

Rrethanat e raportimit të kërcënimit marrin rëndësi edhe në raport me veprimet e institucioneve gjatë ditëve para vrasjes së Arlinda Zekajt.

Sipas informatave të bëra publike nga Prokuroria pas ngjarjes, më 22 tetor prokurori kujdestar dhe hetuesit policorë kishin vlerësuar se kthimi i menjëhershëm i saj në shtëpi mund të paraqiste rrezik për jetën dhe sigurinë e saj.

Për këtë arsye, Zekaj ishte dërguar përkohësisht te familjarët, ndërsa ishte planifikuar që gjatë kthimit të saj në shtëpi të kishte prani policore.

Tri ditë më vonë, më 25 tetor, ishte raportuar një incident tjetër i dhunës në familje, për të cilin ish-bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj, ishte arrestuar dhe ndaluar për 48 orë.

Sipas Prokurorisë, Arlinda Zekajt i ishte ofruar strehimorja, por ajo kishte kërkuar të kthehej në shtëpi, ku ndodhej i mituri.

Policia kishte deklaruar se ajo ishte dërguar në shtëpi “me vullnetin e saj”. Ky pretendim ishte kundërshtuar publikisht nga avokatja e saj, Adelina Hoxha.

Rreth orës 21:00, Zekaj ishte shoqëruar nga Policia në shtëpinë e saj në Vitomiricë. Rreth orës 21:10, Policia ishte njoftuar se ajo ishte gjetur pa shenja jete.

Për vrasjen dyshohet Albert Sylaj, personi të cilin Zekaj e kishte identifikuar në deklaratën e saj të 22 tetorit si personin që e kishte kërcënuar.

Në njoftimet pas vrasjes, Prokuroria kishte përshkruar vlerësimin e rrezikut të bërë më 22 tetor. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse më 25 tetor, pas incidentit të ri, ishte bërë një rivlerësim i rrezikut, nëse ishte marrë parasysh kërcënimi i raportuar ndaj Sylajt dhe çfarë masash ishin parashikuar për sigurinë e Zekajt pas largimit të patrullës policore.

Çfarë ndodhi pas vrasjes?

Më 26 tetor, Policia e Kosovës e shpalli në kërkim Albert Sylajn, i dyshuar për vrasjen e Arlinda Zekajt.

Më 27 tetor, Gjykata e Pejës i caktoi një muaj paraburgim ish-bashkëshortit të saj, Jeton Sylajt, nën dyshimin për mospërfillje të gjykatës. Ndaj tij ishte ngritur edhe aktakuzë për kanosjen e ish-bashkëshortes. Ky është rast i ndarë nga hetimi për vrasjen.

Po atë ditë, Kryeprokurori i Shtetit vendosi që tri lëndë të lidhura me rastin e Arlinda Zekajt t’i kalonin Prokurorisë së Prishtinës, me qëllim të sigurimit të trajtimit objektiv dhe të paanshëm.

Në orët e vona të 27 tetorit, rreth mesnatës, Albert Sylaj u arrestua në Deçan, pas dy ditësh kërkimi nga Policia.

Më 28 tetor 2026, Gjykata e Pejës i caktoi atij një muaj paraburgim, nën dyshimin e bazuar për veprën penale të vrasjes së rëndë.