Regjistrimet audio të publikuara nga mediat spanjolle zbulojnë bisedat mes makinistëve të trenave dhe qendrës së kontrollit hekurudhor në minutat para përplasjes së rëndë që shkaktoi të paktën 69 viktima dhe dhjetëra të plagosur.
Zyrtarët po hetojnë shkaqet e tragjedisë, e cila ndodhi kur një tren që udhëtonte nga Madridi drejt Seviljes u përplas me një tren të ndalur të mërkurën në mëngjes.
Tre regjistrime audio mes qendrës së kontrollit në Madrid dhe dy makinistëve tregojnë se një tren me shpejtësi të lartë mori leje për të vazhduar lëvizjen, edhe pse një tjetër rreth 25 km më përpara kishte mbetur i bllokuar.
Kryeministri Pedro Sánchez, i cili udhëtoi në zonën e aksidentit, tha se autoritetet po punojnë “ditë e natë” për të “zbuluar deri në detajet më të fundit të kësaj tragjedie”.
Publikimi i regjistrimeve vjen ndërsa Spanja nis tre ditë zie kombëtare për një nga katastrofat hekurudhore më të rënda në historinë moderne të Europës.
Njëri tren, i operuar nga kompania shtetërore Renfe, kishte 397 pasagjerë në bord. Përpara tij, në të njëjtën linjë, ndodhej një tren i kompanisë private Iryo, me 147 pasagjerë.
Një problem i raportuar me sistemin automatik të sinjalizimit, një dështim kompjuterik, kishte detyruar ndalimin e të gjithë trenave në segmentin e prekur.
Më pas, treni i Renfe-s u urdhërua “gabimisht” të vazhdonte, sipas ministrit të Transportit të Spanjës. Regjistrimet audio të publikuara nga El País dhe RTVE zbulojnë bisedat mes makinistëve të dy trenave dhe qendrës së kontrollit në kryeqytet para përplasjes.
Në një regjistrim, operatori i qendrës së kontrollit i thotë makinistit të trenit Renfe, i cili kishte disa probleme teknike: “Vazhdoni udhëtimin dhe më pas procedoni nën [Bloqueo de Señalización Lateral], me shpejtësi normale dhe funksionim normal”.
Makinisti pyet: “Me shpejtësi normale?”
Operatori përgjigjet: “Po.”
Ky sistem alternativ përdoret kur sinjalizimi automatik ose transmetimi i të dhënave dështon.
Ndërkohë, makinisti i trenit Iryo thotë në një tjetër regjistrim se komunikimi me sistemin e kontrollit është humbur dhe treni nuk po lëviz.
“Treni është i ndalur përpara sinjalit hyrës në Urda”, i thotë ai operatorit. Pas disa shkëmbimeve, i jepet urdhri të “rifillojë udhëtimin” normalisht.
Makinisti i Iryo-s kontakton sërish qendrën e kontrollit sipas një regjistrimi të mëvonshëm, duke thënë se nuk mund ta nisë trenin. “Treni nuk më lejon të kontrolloj sistemin [e sigurisë]. Prandaj jam ende i ndalur përpara sinjalit hyrës”, deklaron ai.
Ky regjistrim tregon se kontrollori ishte njoftuar se treni Iryo vazhdonte të ishte i palëvizshëm ndërsa treni Renfe po afrohej. Iryo tha se treni i saj u “godit nga pas” nga tjetri.
Ministri i Transportit të Spanjës, Óscar Puente, tha të mërkurën se vendimi për të urdhëruar trenat të rifillonin lëvizjen pa kufizime shpejtësie ishte “i pashpjegueshëm”.
Publikimi i regjistrimeve audio është kritikuar nga disa politikanë spanjollë. Deputeti i platformës së majtë Sumar, Alberto Ibáñez, e quajti publikimin “të neveritshëm”. Ndërsa Irene Montero, kandidate për kryeministre nga partia e majtë Podemos, tha se përgjegjësia për aksidentin nuk duhet t’i faturohet një punonjësi të vetëm, duke shtuar se makinistët dhe ekspertët prej vitesh paralajmërojnë kundër liberalizimit të sektorit hekurudhor.
Nga vendi i aksidentit, kryeministri Pedro Sánchez deklaroi: “Po punojmë ditë e natë jo vetëm për të mbështetur familjet e viktimave, por edhe për të zbuluar çdo detaj të kësaj tragjedie dhe për të forcuar masat e sigurisë që të mos ndodhë kurrë më”.
Shumica e politikanëve spanjollë kanë anuluar angazhimet publike dhe kanë pezulluar fushatën përpara zgjedhjeve të parakohshme të 29 nëntorit. Përjashtim bëri partia e djathtë ekstreme Vox. Lideri i saj, Santiago Abascal, tha se partia nuk do të marrë pjesë në atë që e përshkroi si përpjekje për të “përdorur zinë për të heshtur kritikat” ndaj infrastrukturës hekurudhore.
Gjatë natës, rreth 1 mijë e 500 persona u mblodhën para Ministrisë së Transportit në Madrid, sipas TVE, duke kërkuar kryesisht dorëheqjet e Sánchez dhe Puente. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën pasi protestuesit hodhën shishe dhe fishekzjarre. Nuk u raportuan të lënduar apo të arrestuar.
Makinistët e trenave vazhduan grevën e planifikuar të enjten. Sindikata spanjolle e makinistëve Semaf tha se greva po mbahej “në mbrojtje të sigurisë hekurudhore”.
Lideri i opozitës, Alberto Núñez Feijóo i Partisë Popullore, deklaroi: “Spanja ka të drejtë të dijë çfarë po ndodh me infrastrukturën e saj”.
Në vendin e aksidentit, ekipet e emergjencës punuan gjithë natën nën dritat e forta për të hapur vagonët e dëmtuar dhe për të kërkuar viktima, me shumë prej të vdekurve ende të paidentifikuar.
Sipas Ministrisë së Brendshme, qindra persona janë dislokuar në vendin e katastrofës për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit, duke përdorur dronë dhe helikopterë për të gjetur viktima dhe për të hequr mbeturinat.
Një zëdhënës i Guardia Civil tha për BBC se janë dislokuar mbi 900 persona nga departamente të ndryshme dhe prioriteti tani është identifikimi i trupave. Ata shtuan se nuk dihet sa kohë do të marrë ky proces, por u bënë thirrje familjarëve të personave të zhdukur të shkojnë në qendrat lokale për të dhënë mostra ADN-je.
Dëshmitarët e aksidentit përshkruan skena tronditëse: njerëz që qanin e gjakoseshin, pasagjerë të bllokuar në vendet e tyre dhe tym që mbulonte vagonët, një prej të cilëve mori flakë. Të afërmit vazhdonin të kërkonin informacion për pasagjerët deri vonë të mërkurën.
Guardia Civil ka ngritur zyra në Madrid, Toledo, Sevilje dhe Córdoba për të hetuar rastet e personave të zhdukur.
“Prioriteti kryesor është identifikimi i personave të zhdukur dhe marrja e mostrave të ADN-së për të mundur të lokalizohen të afërmit e tyre”, shkroi Guardia Civil në një postim në X.
Aksidenti i së mërkurës është më i rëndi në Spanjë që nga viti 2013, kur 80 persona humbën jetën në periferi të Santiago de Compostela-s, në veriperëndim të vendit.

