Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropën (SACEUR), gjenerali Alexus G. Grynkewich, ka qëndruar për vizitë në Kosovë, ku është pritur nga komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori.

Gjatë vizitës është diskutuar procesi i optimizimit të KFOR-it, i cili bazohet në vlerësimin e përbashkët për përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë.

Sipas njoftimit të KFOR-it, çdo ndryshim në madhësinë dhe përbërjen e trupave do të bëhet në mënyrë të kujdesshme dhe graduale. Po ashtu, çdo përshtatje do të bazohet në vlerësimet e vazhdueshme të situatës në terren dhe do të jetë e kthyeshme në rast të zhvillimeve të rëndësishme të sigurisë që mund të ndikojnë në stabilitetin lokal dhe rajonal.

Reklamë

Gjatë qëndrimit në Kosovë, gjenerali Grynkewich dhe gjeneralmajor Vergori janë takuar me përfaqësues të institucioneve të Kosovës, si dhe me përfaqësues të Listës Serbe.

Në këto takime është ritheksuar se siguria e qëndrueshme varet përfundimisht nga një zgjidhje politike, dialogu gjithëpërfshirës dhe bashkëpunimi.

Vizita ka përfunduar në Manastirin e Graçanicës, ku zyrtarët e NATO-s janë takuar me përfaqësues fetarë.

KFOR-i ka theksuar se do të vazhdojë të jetë garantues i stabilitetit në Kosovë, duke kontribuar në krijimin e një ambienti të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët, në përputhje me mandatin e tij të OKB-së, në mënyrë të paanshme.

Reklamë