Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është intervistuar në cilësinë e të pandehurit në kuadër të hetimeve për rastin “Arkitekti i Kryeqytetit”.

Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Nora Luta,  ka bërë të ditur se intervistimi i Ramës është zhvilluar lidhur me dyshimet për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Personi me inicialet P.R. është intervistuar në cilësinë e të pandehurit, në kuadër të veprimeve hetimore që Prokuroria është duke i zhvilluar në rastin penal ‘Arkitekti i Kryeqytetit’, lidhur me dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’”, tha ajo.

Reklamë

Ky institucion ka bërë të ditur se është duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Rama u paraqit sot  në objektin e Prokurorisë Speciale, i shoqëruar nga avokati i tij, Artan Çerkini. Para hyrjes në Prokurori, ai kishte deklaruar se detyra e tij është ndërtimi i kryeqytetit, ndërsa e institucioneve të drejtësisë mbikëqyrja e ligjshmërisë së veprimeve.

Rasti lidhet me projektin “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”, kontrata e të cilit kap vlerën prej 12 milionë eurosh.