Ka vazhduar sot në Prishtinë protesta e radhës në shenjë revolte ndaj vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës të dielën e kaluar.
Protestuesit në orët e pasdites kanë nisur marshin e tyre nga sheshi “Zahir Pajaziti”, duke shpalosur kërkesat e tyre për drejtësi dhe mbrojtje më të madhe për gratë që përballen me dhunën.
Një aktiviste, në emër të protestuesve, ka kërkuar shkarkimin e ministrave të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme. Ajo po ashtu ka kërkuar që femicidi të trajtohet si urgjencë kombëtare.
“Kërkojmë drejtësi për Arlindën dhe për gratë e vrara. Kërkojmë që femicidi të trajtohet si urgjencë kombëtare”, ka thënë ajo.
Ndër kërkesat e protestuesve janë edhe sigurimi i banimit social për të mbijetuarat e dhunës në familje, vetingu i pavarur i sistemit të drejtësisë dhe legalizimi i sprejit për vetëmbrojtje për gratë.