Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se në mbledhjen e 64-të të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes janë diskutuar zhvillimet politike në vend, prioritetet qeverisëse dhe projektbuxheti për vitin 2027, i cili parasheh mbi një miliard euro investime kapitale.
“Në fokus të diskutimeve ishte edhe zhvillimi ekonomik i vendit. Projektbuxheti për vitin 2027, i cili pritet të miratohet nga Qeveria, parasheh mbi një miliard euro investime kapitale, duke i dhënë përparësi projekteve infrastrukturore, rritjes ekonomike dhe përmirësimit të cilësisë së punësimit”, ka shkruar ajo.
Tutje, ajo tregon se në mbledhje u diskutua edhe për integrimin evropian të Kosovës, zhvillimet në Shqipëri dhe përfaqësimin e shqiptarëve në Serbi, si dhe përgatitjet për zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes.
Nagavci theksoi synimin për forcimin e strukturave organizative dhe rritjen e përfshirjes së grave, të rinjve dhe aktivistëve.
Postimi i saj i plotë:
Dje u mbajt mbledhja e 64-të e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ku diskutuam për zhvillimet politike në vend, prioritetet qeverisëse dhe forcimin e mëtejshëm të strukturave tona organizative.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe zhvillimi ekonomik i vendit. Projektbuxheti për vitin 2027, i cili pritet të miratohet nga Qeveria, parasheh mbi një miliard euro investime kapitale, duke i dhënë përparësi projekteve infrastrukturore, rritjes ekonomike dhe përmirësimit të cilësisë së punësimit.
U trajtuan gjithashtu perspektiva e integrimit evropian të Kosovës, zhvillimet në Shqipëri dhe përfaqësimi politik i shqiptarëve në Serbi, pas rezultatit të arritur në zgjedhjet parlamentare.
Një pjesë e rëndësishme e mbledhjes iu kushtua përgatitjeve për zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes. Pas një mandati katërvjeçar me angazhime dhe sfida të shumta, synimi ynë është të ndërtojmë një organizim edhe më efikas, me pjesëmarrje më të gjerë të grave, të rinjve dhe aktivistëve në të gjitha nivelet.
Do të vazhdojmë të angazhohemi për një Lëvizje më të fuqishme, më të organizuar dhe gjithnjë në shërbim të qytetarëve.