Protestat masive kundër kostos së jetesës dhe shkurtimeve të shpenzimeve publike në Gjermani kanë përfunduar me përleshje mes protestuesve dhe policisë, si dhe me plaçkitje të dyqaneve në qendër të Frankfurtit.

Përveç Frankfurtit, incidente të dhunshme janë raportuar edhe në Berlin, Këln dhe Hamburg. Policia ka përdorur topa uji për të shpërndarë protestuesit, të cilët dyshohet se kanë sulmuar ekipet emergjente me fishekzjarrë, gurë dhe shishe.

Mijëra të rinj iu bashkuan më herët protestave të organizuara nga grupi i fushatës “Gen Z regelt”, që në shqip nënkupton “Gjenerata Z merr gjërat në duart e veta”.

Reklamë

Protestuesit kundërshtuan financimin e pamjaftueshëm të shkollave, koston e lartë të jetesës, shkurtimet e shpenzimeve publike dhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Sipas autoriteteve, në Frankfurt, Mynih dhe Berlin morën pjesë deri në 18 mijë protestues, rreth gjysma e numrit që kishin parashikuar organizatorët.

Zëdhënësja e grupit organizator, Lina Friedrich, tha se qëllimi i protestave ishte lufta për paqe dhe liri, e jo për luftë dhe detyrim. Ajo kërkoi më shumë mbështetje për sistemet shëndetësore dhe arsimore, si dhe një shpërndarje më të drejtë të barrës ekonomike.

Megjithatë, situata u tensionua gjatë orëve të mbrëmjes. Policia në Frankfurt njoftoi për thyerje të vitrinave të disa dyqaneve dhe hedhje të koktejve Molotovë në drejtim të shërbimeve emergjente. Gjithashtu, nga një dyqan armësh u thyen xhamat, ndërsa autoritetet njoftuan se kishin sekuestruar dy armë pas arrestimit të një të dyshuari.

Ministri i Brendshëm i landit Hesen, Roman Poseck, deklaroi se rreth 100 ekstremistë të majtë kishin depërtuar në protestën e Frankfurtit, duke e cilësuar përfundimin e demonstratës si të turpshëm.

Reklamë

Protestat në Gjermani vijnë pas demonstratave të ngjashme të udhëhequra nga të rinjtë në Francë, ku të shtunën morën pjesë më shumë se 320 mijë persona.