Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë për mosmiratimin dhe mosdorëzimin e projektbuxhetit për vitin 2027 brenda afatit të përcaktuar me ligj, shkruan Reporteri.net.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se sipas nenit 22 të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, projektbuxheti duhej t’i dorëzohej Kuvendit jo më vonë se 31 tetori, ndërsa më 1 nëntor ai ende nuk ishte miratuar nga Qeveria.

Hoti tutje ka akuzuar qeverisjen e Vetëvendosjes dhe partnerëve të saj për shkelje të vazhdueshme ligjore dhe kushtetuese.

Reklamë

Postimi i tij:

Qeveria shkel ligjin, nuk e miraton buxhetin për 2027 brenda afatit të përcaktuar me ligj
Neni 22 i Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike e obligon Qeverinë që t’ia dorëzojë Kuvendit të Kosovës projektbuxhetin për vitin e ardhshëm buxhetor jo më vonë se 31 tetor.

Sot është 1 nëntor. Projektbuxheti në Qeveri nuk është miratuar ende. Me këtë, Qeveria po shkel afatin e përcaktuar me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

Është e paqartë se si Kuvendi do të shqyrtojë në procedura kuvendore një projektbuxhet që i dorëzohet Kuvendit pas afatit ligjor.

Kurrë nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Edhe në kohë zgjedhjesh, me Qeveri në detyrë, projektbuxheti është miratuar dhe dorëzuar në Kuvend në përputhje me afatet dhe kërkesat ligjore.

Reklamë

Fatkeqësisht, shkeljet ligjore e kushtetuese janë bërë praktikë në këto vite të qeverisjes së VV-së dhe partnerëve të saj. Dhjetëra ligje janë shpallur antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese. Qeveria dhe Presidenca kanë kryer shkelje të vazhdueshme kushtetuese përmes shkarkimit ose mos-emërimit të zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Legjislatura aktuale e Kuvendit të Kosovës u themelua përtej afatit kushtetues. Kryeministri nuk u përgjigjet organeve të drejtësisë.

Kryeministri e ministrat kanë shkelur aktgjykimin e Gjykatës Supreme duke ushtruar detyrën e anëtarit të qeverisë dhe të deputetit njëkohësisht

Reklamë