Ngjarja e rëndë e raportuar sot nga Gazeta Online Reporteri.net se janë gjetur të vdekur babai dhe një foshnjë tre muajshe në fshatin Demiraj të Gjilanit është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

Policia rajonale e Gjilanit ka konfirmuar për Reporteri.net se në një shtëpi në këtë fshat janë gjetur të vdekur dy persona, një burrë i lindur në vitin 1999 dhe një foshnjë.

Policia tutje thotë se  në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor.

Reklamë

“Më 01.11.2026 rreth orës 08:47 kemi pranuar informacion se në një shtëpi në fshatin Demiraj të komunës së Gjilanit, dyshohet për dy trupa të pajetë, një person i gjinisë mashkullore i vitit të lindjes 1999 dhe një foshnjë. Me urgjencë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar se të dy personat janë pa shenja jete”, kanë thënë për Reporteri.net zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hshani.

Tutje ai ka ka bërë të ditur se me vendim të Prokurorit të Shtetit trupat e pajetë do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

“Në koordinim me Prokurorin e Shtetit janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operative dhe hetimore për ndriçimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit, rast i cili është cilësuar si “ Vdekje e dyshimt”””, thotë ai. /Reporteri.net/..