Njësitë e Forcave të Sistemeve pa Pilot të Ukrainës kanë goditur mesatarisht një objektiv rus çdo 41 sekonda gjatë muajit tetor, ndërsa kanë shkaktuar humbje të një ushtari rus çdo 159 sekonda, sipas komandantit të këtyre forcave, Robert “Magyar” Brovdi.
Brovdi bëri të ditur në Telegram se gjatë tetorit njësitë e tij kanë goditur gjithsej 64.807 objektiva, ndërsa numri i ushtarakëve rusë të vrarë ose të nxjerrë jashtë luftimit, sipas raportimit të tij, ka arritur në 16.796.
Kjo është shifra më e lartë mujore e humbjeve të shkaktuara nga këto njësi që nga fillimi i pushtimit të plotë rus të Ukrainës. Sipas Brovdit, rezultati është 52,55 për qind më i lartë se në gusht dhe 24,71 për qind më i lartë se në shtator.
Mesatarisht, njësitë ukrainase kanë shkaktuar humbjen e 542 ushtarëve rusë në ditë. Numri më i lartë ditor u regjistrua më 24 tetor, kur u raportuan 701 humbje.
Gjatë muajit, njësitë e Forcave të Sistemeve pa Pilot realizuan gjithsej 255.605 misione luftarake. Rreth 151.500 prej tyre ishin misione sulmuese, ndërsa 104.000 kishin karakter zbulues.
Sipas të dhënave të publikuara nga komandanti, rreth 69,5 për qind e humbjeve ruse u regjistruan në frontet e Dobropillias-Pokrovskut, Oleksandrivkës dhe Huliaipoles.
Brovdi theksoi se shifrat përfshijnë vetëm rezultatet e njësive të Forcave të Sistemeve pa Pilot dhe nuk përfshijnë të dhënat e komponentëve të tjerë të forcave ukrainase të mbrojtjes. Ai shtoi se të gjitha rezultatet janë verifikuar përmes sistemit të ndërgjegjësimit operacional Delta. /Telegrafi/