Nën koordinimin e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, sot ka filluar aksioni i përbashkët me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës dhe Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, me qëllim të mbikëqyrjes së produkteve që tregtohen përmes platformave online.

Aksioni është përqendruar në inspektimin e produkteve që janë në proces të transportimit drejt konsumatorëve përmes shërbimeve postare, me fokus të veçantë në verifikimin e ligjshmërisë së veprimtarisë së bizneseve që ushtrojnë shitjen online.

Gjatë inspektimeve po verifikohet nëse bizneset janë të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), nëse për produktet e shitura lëshohet kupon fiskal, si dhe nëse produktet shoqërohen me deklaracionin përkatës të prejardhjes dhe dokumentacionin e kërkuar ligjor.

Reklamë

Në kuadër të këtij aksioni, gjatë ditës së sotme janë angazhuar 11 ekipe inspektuese, të cilat kanë vepruar në tetë komunat të Kosovës. Sipas rezultateve preliminare, gjatë ditës së sotme janë realizuar gjithsej 23 inspektime, prej të cilave 6 lëndë janë përfunduar, ndërsa 17 lëndë mbeten në procedurë, njofton Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.

Kujtojmë, nga 1 nëntori, MINT ka nisur kontrolle të shtuara ndaj bizneseve online dhe kompanive postare, ku do të verifikohet nëse posedojnë certifikatë të regjistrimit nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) dhe numër fiskal nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).

Bizneset që nuk i përmbushin obligimet ligjore do të përballen me gjoba, në kuadër të përpjekjeve për luftimin e informalitetit dhe mbrojtjen e konsumatorëve. Ndërkohë, nga Administrata Tatimore e Kosovës kanë bërë të ditur se janë rreth 660 tatimpagues të regjistruar që realizojnë shitje online.