Një alpinist gjerman u shpëtua në alpet austriake gjatë fundjavës, pasi ishte lënë pas nga dy shoqëruesit e tij.
20-vjeçari u gjet në një lartësi prej rreth 2 mijë e 600 metrash mbi nivelin e detit, pas një operacioni shpëtimi që zgjati 14 orë, njoftoi sot Shërbimi austriak i Shpëtimit Malor.
Sipas një deklarate të shërbimit, të shtunën pasdite, burri ishte nisur si pjesë e një grupi prej tre personash në masivin malor Hochkönig pavarësisht parashikimeve për mot të keq.
“Në lartësinë rreth 2 600 metra, njëri nga tre gjermanët nuk mundi të vazhdonte më tej dhe, rreth orës 19:00, bëri një thirrje urgjence. Megjithatë, shoqëruesit e tij vazhduan ngjitjen dhe, po atë natë, arritën në strehimoren ‘Matrashaus’ (2.941 m), e cila ishte tashmë e mbyllur”, thuhet në deklaratë.
Operacioni i shpëtimit u vështirësua nga fakti se ekuipazhi i helikopterit të shpëtimit nuk mundi të fluturonte, për shkak të kushteve të pafavorshme.
Wolfgang Haggenmüller, kreu i operacioneve dhe drejtuesi lokal i ekipit të Mühlbach, tha se i riu gjerman ishte i lidhur me litar për zbritjen përmes borës së thellë dhe kishte rrezik rrëzimi.
“Situata ishte kërcënuese për jetën e të gjithëve. Mes reshjeve të dendura të dëborës dhe shikueshmërisë së dobët, ekipi ynë arriti në Erichhütte vetëm në orën 08:18 të mëngjesit”, tha ai.
Gerhard Kremser, drejtuesi i Shërbimit të Shpëtimit Malor për distriktin e Pongau, u shpreh se, duke pasur parasysh kushtet, i riu gjerman me gjasë nuk do t’i kishte mbijetuar një nate tjetër në mal.
“Ky operacion tregon edhe një herë se sa shpejt vetëbesimi i tepruar, shpërfillja e paralajmërimeve dhe planifikimi i dobët i itinerarit mund të çojnë në një situatë që rrezikon jetën. Alpinizmi nënkupton gjithashtu të dish të kthehesh mbrapsht në kohën e duhur”, tha ai.
Sipas raportimeve, policia austriake ka nisur një hetim lidhur me këtë ngjarje.