Alejandro Balde po kalon një situatë të vështirë te Barcelona, pasi minutat e lojës janë shndërruar në një problem për mbrojtësin e majtë nën drejtimin e Hansi Flickut.

Mbrojtësi 23-vjeçar ka pasur shumë pak hapësirë këtë sezon, duke luajtur vetëm pak më shumë se 100 minuta në katër ndeshje.

Si rrjedhojë, kanë filluar të shtohen zërat për një largim të mundshëm të tij në janar, me disa klube që kanë shprehur interesim.

Reklamë

Tani, sipas raportimeve nga Italia, të cilat i përcjell “Esport3”, Roma është një nga klubet e interesuara për transferimin e Baldes në afatin kalimtar të dimrit.

Skuadra italiane, e drejtuar nga Gian Piero Gasperini, po kërkon t’i përforcojë opsionet në repartin defensiv dhe e sheh mbrojtësin e Barcelonës si një objektiv të mundshëm.

Sipas raportimit, gjiganti i Serie A tashmë po shqyrton mundësinë e transferimit të produktit të akademisë La Masia në formë huazimi deri në fund të sezonit, me opsion blerjeje të përfshirë në marrëveshje.

Ndërkohë, siç është raportuar tashmë, Barcelona do të preferonte një shitje përfundimtare të Baldes në rast të largimit të tij në janar.

Në fakt, klubi katalunas planifikon të kërkojë të paktën 40 milionë euro për mbrojtësin 23-vjeçar, për të cilin interesim kanë shprehur edhe klube si Manchester United dhe Chelsea.

Reklamë

Mundësia e një largimi në formë huazimi nuk është përjashtuar plotësisht, por kampionët e La Ligës do të insistojnë që opsioni i blerjes të jetë i detyrueshëm dhe jo fakultativ.

Ndonëse kjo mund t’ia hapë derën Romës, paga e Baldes mund të paraqesë gjithashtu një problem për klubin italian.

Për më tepër, ekziston edhe mundësia që Barcelona ta përdorë Balden si pjesë të marrëveshjes për transferimin e Andrea Cambiasos nga Juventusi.

Për momentin, të gjitha mundësitë mbeten të hapura për Balden, i cili vazhdon të luftojë për të fituar më shumë minuta nën drejtimin e Flickut, sidomos duke marrë parasysh numrin e mungesave në mbrojtje për shkak të lëndimeve.

Reklamë

Duke folur për situatën e mbrojtësit të majtë para ndeshjes së Barcelonës në Ligën e Kampionëve kundër Aston Villas, trajneri gjerman tha:

“Ajo që po i ndodh është normale; kur nuk luan shpesh, të mungon vetëbesimi. E shoh duke u stërvitur mirë, por ne duhet të vendosim se çfarë është më e mira për skuadrën, ndërsa João Cancelo është në një formë shumë të mirë”, tha ai.

“Kur them se i mungon vetëbesimi, e di se kjo mund të ndikojë tek ai dhe kam biseduar me të pas konferencës së fundit për shtyp. E respektoj shumë; është i ri, por është një person i shkëlqyer dhe punëtor i madh. Do ta ndihmoj që ta rikthejë vetëbesimin”.