Me kalimin e moshës, është e zakonshme të pyesim veten nëse truri ynë po funksionon po aq mirë sa dikur. Të gjithëve na ka ndodhur të harrojmë pse kemi hyrë në një dhomë apo të mos kujtojmë një emër që e kemi në majë të gjuhës. Por, a mund të na ndihmojë një test i thjeshtë të kuptojmë më mirë se si funksionojnë kujtesa dhe aftësitë tona njohëse?

Dr. Baibing Chen, i njohur në rrjetet sociale si Dr. Bing, është neurolog i specializuar në trajtimin e epilepsisë në Universitetin e Miçiganit dhe ka kryer formimin profesional në klinikën Mayo. Nëpërmjet publikimeve të tij, ai ndan këshilla për shëndetin e trurit, parandalimin e goditjeve në tru dhe faktorët që mund të ndikojnë në funksionimin e sistemit nervor.

Së fundmi, ai ka prezantuar një test me 10 pyetje, të cilin ua propozon edhe pacientëve për të vlerësuar disa prej funksioneve kryesore të trurit. Çdo pyetje shqyrton një aftësi të veçantë, si kujtesa, përqendrimi, të folurit apo orientimi.

Reklamë

Sipas vlerësimit të propozuar nga mjeku, një rezultat prej të paktën 21 pikësh tregon një performancë shumë të mirë. Përgjigjuni pyetjeve më poshtë dhe zbuloni sa pikë arrini.

Testi me 10 pyetje për të vlerësuar kujtesën dhe funksionet e trurit

1. Në cilin muaj dhe në cilën stinë ndodhemi? (1-2 pikë)

Kjo është një pyetje e thjeshtë për shumicën e njerëzve, por vlerëson orientimin kohor, pra aftësinë për të kuptuar se ku ndodhemi në kohë. Ky funksion lidhet kryesisht me zonat e trurit përgjegjëse për kujtesën dhe përpunimin e informacionit.

1 pikë për muajin e saktë.

Reklamë

1 pikë për stinën e saktë.

2. Përsërisni këto tri fjalë: kapele, lumë, limon. (1-3 pikë)

Lexojini me kujdes dhe përpiquni t’i mbani mend, sepse do t’ju nevojiten më vonë gjatë testit.

Kjo pyetje vlerëson kujtesën e menjëhershme dhe përqendrimin, pra aftësinë për të përthithur informacione të reja dhe për t’i ruajtur ato për një kohë të shkurtër.

Reklamë

1 pikë për çdo fjalë të kujtuar saktë.

3. Nisni nga numri 21 dhe zbrisni nga 3 numra derisa të arrini në zero. (2 pikë)

Mendoni me kujdes dhe vazhdoni zbritjen pa ndihmën e lapsit apo letrës.

Ky ushtrim vlerëson kujtesën e punës dhe përqendrimin, pasi duhet të mbani mend çdo rezultat ndërsa kryeni veprimin e radhës.

Reklamë

2 pikë nëse arrini saktë deri në zero.

4. Brenda 15 sekondave, thoni sa më shumë emra frutash që mundeni.

Përpiquni të përmendni sa më shumë fruta, pa përsëritur të njëjtat emra.

Kjo pyetje vlerëson njohuritë e përgjithshme dhe aftësinë për të gjetur e shqiptuar shpejt fjalët që lidhen me një kategori të caktuar.

Reklamë

1 pikë për çdo dy fruta të ndryshme, deri në 6 pikë.

5. Përsëritni fjalinë: “Bukë e freskët në një kuti teneqeje”. (1 pikë)

Dëgjojeni ose lexojeni fjalinë me kujdes dhe përpiquni ta përsërisni pa gabime.

Ky ushtrim vlerëson aftësinë për të përpunuar informacionin gjuhësor, për të kuptuar fjalitë dhe për t’i përsëritur ato saktë.

1 pikë nëse e përsërisni fjalinë pa gabime.

6. Thoni një ngjyrë, pastaj një kafshë, më pas një ngjyrë tjetër dhe një kafshë tjetër. Vazhdoni derisa të përmendni katër ngjyra dhe katër kafshë.

Për shembull, mund të filloni me të kuqen, pastaj me një kafshë, më pas me një ngjyrë tjetër dhe një kafshë tjetër. E rëndësishme është të ruani alternimin.

Ky ushtrim mat fleksibilitetin mendor, pra aftësinë për të kaluar nga një detyrë te tjetra pa humbur përqendrimin.

1 pikë për çdo alternim të saktë, deri në 4 pikë.

7. Vizatoni një orë dhe vendosni akrepat në orën 4 e 10 minuta. (2 pikë)

Vizatoni një rreth, vendosni numrat nga 1 deri në 12 dhe më pas shënoni orën e kërkuar me akrepat.

Ky është një ushtrim që përdoret shpesh në vlerësimet neurologjike. Ai kontrollon aftësinë për të planifikuar, për të kuptuar hapësirën dhe për të ndjekur udhëzimet.

2 pikë nëse vizatimi dhe pozicionimi i akrepave janë të sakta.

8. Çfarë kanë të përbashkët një orë dhe një vizore? (1 pikë)

Mendoni për funksionin e tyre dhe jo vetëm për pamjen e jashtme.

Kjo pyetje vlerëson të menduarit abstrakt, pra aftësinë për të gjetur një lidhje mes dy objekteve që në pamje të parë janë të ndryshme.

1 pikë nëse shpjegoni se të dyja përdoren për të matur diçka.

9. Cilat ishin tri fjalët që ju kërkua të mbanit mend në fillim të testit? (Deri në 3 pikë)

Mos u ktheni te pyetja e dytë! Përpiquni t’i kujtoni fjalët pa ndihmë.

Ky ushtrim vlerëson kujtesën afatshkurtër dhe aftësinë për të rikthyer informacionin pas një periudhe kohe.

1 pikë për çdo fjalë të kujtuar saktë.

10. Për çfarë shërben luga dhe si do ta përdornit atë? (1 pikë)

Shpjegoni funksionin e lugës dhe tregoni me gjeste se si do ta përdornit.

Kjo pyetje vlerëson aftësinë për të kryer lëvizje të zakonshme dhe të mësuara më parë, si dhe koordinimin mes të menduarit dhe lëvizjeve fizike.

1 pikë për përgjigjen dhe demonstrimin e saktë.

Si interpretohet rezultati?

Në përfundim, mblidhni pikët e fituara dhe shihni se në cilin nivel bëni pjesë, sipas ndarjes së propozuar në test:

21-25 pikë: Rezultat i shkëlqyer. Keni treguar performancë shumë të mirë në ushtrimet e vlerësimit.

15-20 pikë: Performancë e mirë. Shumica e aftësive të testuara janë në nivel të kënaqshëm.

8-14 pikë: Ka ende vend për përmirësim. Ushtrimet që stimulojnë kujtesën dhe përqendrimin mund të jenë të dobishme.

0-7 pikë: Rekomandohet t’i kushtoni më shumë vëmendje aktiviteteve që nxisin funksionet njohëse dhe të konsultoheni me një profesionist nëse keni shqetësime për kujtesën.

Një sqarim i rëndësishëm: Ky test është një ushtrim orientues për disa funksione të trurit dhe nuk zëvendëson një vlerësim të mirëfilltë neurologjik. Rezultati nuk përcakton inteligjencën dhe as nuk mund të vendosë nëse një person ka apo jo probleme me kujtesën.