Përplasja në ajër e dy helikopterëve gjatë përpjekjes për t’u ulur në rajonin e malit Everest, në Nepal, përfundoi me rrëzimin e tyre, duke lënë një të vdekur dhe një të plagosur. Policia dyshon se personi që humbi jetën ishte shtetas indian.
Duke folur për agjencinë e lajmeve AFP, kreu i policisë së distriktit Solukhumbu, Nabin Raja Budhathoki, bëri të ditur se njëri prej personave ndërroi jetë në vendin e ngjarjes. Personi tjetër u dërgua në spital për ndihmë mjekësore.
Në rrjetet sociale po shpërndahen pamje që kanë fiksuar çastin kur dy helikopterët u përplasën në aksidentin tragjik.
WATCH: 2 helicopters collide into each other in Everest Base camp in Solukhumbu, Nepal, killing 1 person and injuring another. https://t.co/uaFnX6FpjV
— AZ Intel (@AZ_Intel_) November 3, 2026
Helikopterët shërbejnë shpesh në Himalaje për të lëvizur turistë e alpinistë dhe për të dërguar furnizime. Ata angazhohen gjithashtu në misione kërkimi dhe shpëtimi.
Terreni i vështirë malor, së bashku me motin që ndryshon në mënyrë të paparashikueshme, i bëjnë fluturimet në këtë rajon veçanërisht të rrezikshme.
Si një prej destinacioneve kryesore botërore për alpinistët, Nepali tërheq mijëra turistë çdo vit. Në territorin e tij gjenden tetë nga 14 malet më të larta në botë, mes tyre edhe Everesti.