Përdorimi i inteligjencës artificiale në industrinë e video-lojërave po rritet me shpejtësi.

Të dhënat e fundit tregojnë se pothuajse gjysma e lojërave të publikuara në platformën Steam gjatë tetorit të vitit 2026 kanë përdorur përmbajtje të krijuar me ndihmën e kësaj teknologjie.

Sipas analizës së rreth 63 mijë e 600 lojërave të publikuara që nga janari i vitit 2024, përqindja e titujve që deklarojnë përdorimin e inteligjencës artificiale është rritur nga 13.2 për qind në vitin 2024, në 24 për qind gjatë vitit 2025 dhe në 40.1 për qind në vitin 2026. Në tetor, kjo shifër arriti në 49.9 për qind.

Reklamë

AI përdoret kryesisht për krijimin e ilustrimeve dhe materialeve vizuale, të cilat përbëjnë 63 për qind të rasteve të deklaruara.

Përdorime të tjera përfshijnë tekstet dhe përkthimet, materialet e marketingut, muzikën dhe programimin.

Ndërkaq, përdorimi i saj për krijimin e zërave dhe përmbajtjes gjatë lojës mbetet dukshëm më i kufizuar.

Këto të dhëna përfshijnë vetëm zhvilluesit që kanë deklaruar përdorimin e inteligjencës artificiale në Steam. /Telegrafi