Raporti për Kosovën për vitin 2026 i Bashkimit Europian thotë se situata politike me paqëndrueshmërinë e zgjatur politike dhe bllokadës paszgjedhore e kanë ndalur vendin drejt rrugës së integrimit në BE.

Në raport përmendet se “Qeveria emëroi një kryenegociator/koordinator kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritje (RGF), një hap që dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm politik ndaj integrimit europian”.

“Qeveria gjithashtu themeloi një Komision Ekzekutiv për të koordinuar procesin e anëtarësimit në BE”, thuhet në raport, ndërsa përmendet edhe ratifikimi i disa marrëveshjeve që lidhen me RGF-në.

Reklamë

Por progresi në reformat që lidhen me BE-në mbeti jo i njëtrajtshëm “për shkak të paqëndrueshmërisë së zgjatur politike, joefikasitetit të Kuvendit dhe bllokadës paszgjedhore”.

“Megjithëse situata politike u përmirësua pas formimit të qeverisë, efektiviteti i strukturave të reja për integrimin në BE ende duhet të dëshmohet”, thuhet në raport.

Para zgjedhjeve, raporti thotë se “Komisioni Parlamentar për Integrim Europian pati vështirësi në përmbushjen e rolit të tij, ndërsa vonesat procedurale dhe kapacitetet e kufizuara administrative dobësuan koordinimin e reformave që lidhen me BE-në”.

“Organet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit vazhduan të mbajnë takime gjatë periudhës së raportimit, pas heqjes së masave të BE-së”, thuhet në fund të pjesës së raportit që vlerëson punën drejt integrimit europian.