Autoritetet ukrainase po i vëzhgojnë tetë cisterna të ngarkuara më shumë se 300.000 tonë naftë dizel të Rusisë, të cila mund të jetë në rrugë drejt Shteteve të Bashkuara, thanë burime nga Qeveria e Ukrainës për Radion Evropa e Lirë më 3 nëntor.
Shtatë prej anijeve e kanë përcaktuar SHBA-në si destinacion, ndërsa e teta, Athina M., që lundron nën flamurin grek, besohet se po e ndjek të njëjtën rrugë të gjatë.
Sipas të dhënave të vëzhgimit ukrainas, katër cisterna: Leruo, Primorye, Manta dhe Feliks, janë nën sanksionet e Bashkimit Evropian, Mbretërisë së Bashkuar dhe Ukrainës.
Më 9 tetor, Departamenti amerikan i Thesarit lëshoi licencë të përgjithshme të përkohshme, e cila autorizon transaksionet që lidhen me furnizimin e tregjeve botërore me naftë dizel të Rusisë, në përpjekje për t’i ulur çmimet.
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se kishte arritur marrëveshje me homologun e tij rus, Vladimir Putin, për të lejuar furnizimin me miliona tonë naftë dizel të Rusisë gjatë tre muajve, për përdorim në SHBA dhe në tregjet ndërkombëtare.
Anijet, të identifikuara nga burimet ukrainase, e kanë ngarkuar naftën në portet ruse gjatë tetorit, kryesisht në Primorsk, në Detin Baltik. Sipas vlerësimeve, ato pritet të mbërrijnë në SHBA nga 7 deri më 18 nëntor.
Organizatat amerikane vëzhgojnë 13 anije
Dy organizata amerikane të angazhuara në çështjet e Ukrainës, Koalicioni Amerikan për Ukrainën dhe Razom për Ukrainën, konfirmuan se po i vëzhgojnë 13 anije që mund të bartin naftë dizel të Rusisë drejt porteve amerikane gjatë kësaj jave.
Organizatat identifikuan Taurus dhe Agioi Fanendes si dy anijet që ka më shumë gjasa të bartin karburant rus.
Sipas raportimeve, Taurus barte naftë dizel të Rusisë, ndonëse përmbajtja e ngarkesës nuk është konfirmuar nga ndonjë dokument zyrtar i ngarkesës. Anija u ndal pranë portit të Uilmingtonit, në Karolinën e Veriut, më 1 nëntor, para se të kthehej në det të hapur të nesërmen. Nuk ka dëshmi se ajo ka shkarkuar ndonjë ngarkesë.
Ndërkaq, Agioi Fanendes dyshohet se barte rreth 40.000 tonë naftë dizel të Rusisë me përmbajtje shumë të ulët të sulfurit, por porti ku do të shkarkohet ngarkesa ende nuk dihet. Organizatat thanë se nuk kishin identifikuar as ndonjë blerës amerikan dhe as ndonjë terminal ku mund të shkarkohej karburanti.
Burimet nga Qeveria e Ukrainës, të cilat folën në kushte anonimiteti, vlerësuan se ngarkesa e kësaj anijeje është 35.700 tonë. Sipas tyre, ajo po lundron drejt perëndimit përmes Oqeanit Atlantik dhe pritet të mbërrijë më 7 nëntor.
Organizatat thanë se po i vëzhgojnë edhe 11 anije të tjera, bazuar në raportimet për ngarkesat e tyre ose në pozicionet ku ndodhen, duke shtuar se numri mund të rritet.
Ekspertët paralajmërojnë për rreziqe ligjore
Eugene Goncharov, drejtor i politikave në American Coalition for Ukraine, i tha Radios Evropa e Lirë se importimi i naftës dizel të Rusisë nuk do të kishte shumë kuptim ekonomik për SHBA-në, por njëkohësisht do t’i siguronte të ardhura Moskës.
“Marrëveshja për naftën dizel është absurde në çdo kuptim të fjalës”, tha Goncharov, duke argumentuar se këto dërgesa nuk do t’i ulnin çmimet për konsumatorët amerikanë.
Ai theksoi gjithashtu se vetë Shtetet e Bashkuara janë eksportuese të naftës dizel.
“Jemi shumë të shqetësuar për precedentin që krijon kjo”, tha ai, duke shtuar se mirëpret përpjekjet e kongresistëve Brian Fitzpatrick dhe Gregory Meeks për të mbyllur zbrazëtitë në legjislacionin ekzistues.
John Herbst, ish-ambasador amerikan në Ukrainë dhe aktualisht drejtor i lartë në Qendrën për Euroazinë të Këshillit Atlantik, tha se beson se dërgesat me gjasë do të mbërrijnë në SHBA, nëse nuk shfaqet ndonjë pengesë e re.
“Kjo është një marrëveshje që Trump tashmë e ka mundësuar”, i tha Herbst Radios Evropa e Lirë. “Nëse nuk shfaqet ndonjë pengesë e re për transportimin e kësaj nafte dizel, mendoj se ajo do të dorëzohet”.
Megjithatë, ai paralajmëroi se blerësit e mundshëm mund të përballen me pasoja ligjore, bazuar në ligjin e vitit 2022 që ndalon importin e energjisë ruse.
Herbst iu referua paralajmërimeve të senatorit amerikan Richard Blumenthal dhe tha se kompanitë që po shqyrtojnë blerjen e këtij karburanti duhet të marrin parasysh mundësinë e përballjes me procedura ligjore, edhe nëse administrata amerikane i ka autorizuar transaksionet.
Nju Xhersi paralajmëron portet
Guvernatorja e Nju Xhersit, Mikie Sherrill, ka paralajmëruar zyrtarët e porteve dhe operatorët e terminaleve se pranimi i naftës dizel të Rusisë mund të përbëjë shkelje të ligjit federal dhe t’i ekspozojë ata ndaj ndëshkimeve civile dhe penale.
Në një letër të datës 2 nëntor, Sherrill tha se as Trump dhe as zyrtarët e Departamentit të Thesarit nuk kanë kompetencë të përgjithshme për ta pezulluar ndalimin e importit të energjisë ruse, të miratuar nga Kongresi në prill të vitit 2022, pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës.
Ajo u zotua se do të përdorë masa ligjore dhe rregullore për të parandaluar pranimin e këtij karburanti në portet e Nju Xhersit.
“Nju Xhersi nuk do të qëndrojë duarkryq derisa Donald Trump mbështet Vladimir Putinin në kurriz të amerikanëve”, tha Sherrill në një deklaratë, duke u bërë thirrje operatorëve të mos pranojnë cisternat që bartin karburant rus.
Përplasjet rreth autorizimit amerikan
Në qendër të polemikave është marrëdhënia mes Ligjit për Ndalimin e Importit të Naftës Ruse, të vitit 2022, dhe Licencës së Përgjithshme 135 të Departamentit të Thesarit, e cila autorizon transaksionet që përfshijnë naftën dizel me origjinë ruse, përfshirë importimin e saj në SHBA, deri më 7 prill 2027.
Ligji i vitit 2022 ndalon importin e energjisë ruse dhe parasheh që ky ndalim mund të hiqet vetëm nëse presidenti amerikan vërteton se Rusia është pajtuar t’i tërheqë forcat e saj dhe t’i japë fund luftimeve në Ukrainë. Çdo vendim për heqjen e ndalimit i nënshtrohet një periudhe pritjeje prej 90 ditësh, gjatë së cilës Kongresi mund ta bllokojë atë.
Ligjvënës nga të dyja partitë kanë ngritur pyetje nëse autorizimi i Departamentit të Thesarit bie ndesh me ndalimin e miratuar nga Kongresi.
Një grup senatorësh dypartiakë, përfshirë Susan Collins, Lisa Murkowski, Thom Tillis dhe John Curtis, kanë deklaruar se importet e tilla shkelin ligjin. Tillis tha se Trump “mund të jetë” duke e shkelur ndalimin.
Administrata Trump e ka mbrojtur këtë autorizim. Një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë tha se marrëveshja synon të rrisë furnizimin me karburant dhe të ulë çmimet për konsumatorët amerikanë.
Herbst tha se lejimi i naftës dizel të Rusisë në tregun amerikan do të dëmtonte interesat më të gjera të Uashingtonit në Ukrainë.
“Ky është një gabim serioz në politikëbërje, sepse interesi ynë i vërtetë amerikan është të sigurohemi që agresioni i Putinit në Ukrainë të dështojë, ndërsa kjo ia lehtëson Putinit vazhdimin e këtij agresioni”, i tha ai.
Ai shtoi se kjo polemikë po i thellon dyshimet në Kiev dhe në kryeqytetet evropiane për besueshmërinë e Uashingtonit si partner i sigurisë.
“Dyshime ka jo vetëm në Kiev, por edhe në kryeqytete të tjera evropiane, për besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara për të përmbushur angazhimet e tyre, ashtu siç kanë bërë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore”, tha ai.
Të ardhurat nga nafta dhe gazi përbëjnë një nga burimet kryesore të financimit për Kremlinin. Në buxhetin e vitit 2026, Rusia ka parashikuar të arkëtojë rreth 8.92 trilionë rubla (125 miliardë dollarë) nga këto burime, sipas shifrave të cituara nga organizatat që po monitorojnë transportin e naftës ruse. /REL