Tre zyrtarë policorë janë lënduar sot në Gjilan, pas ndërhyrjes për të parandaluar një përleshje fizike mes tifozëve të dy ekipeve futbollistike, Dritës dhe Prishtinës.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë Rajonale të Gjilanit, Valon Osmani, i cili tha se rasti ka ndodhur rreth orës 13:50, jashtë stadiumit ku po zhvillohej ndeshja mes Dritës dhe Prishtinës, kur tifozët e të dyja ekipeve kanë tentuar të përleshen mes vete.

Osmani thekson zyrtarët e policisë kanë marrë trajtim mjekësor.

Reklamë

“Gjatë ndërhyrjes janë lënduar tre zyrtarë policorë të cilët kanë kërkuar tretman mjekësor në Qendrën Emergjente në Gjilan. Sipas raportit mjekësor lëndime të lehta trupor”, tha Osmani.

Sipas tij, njësiti i Hetimeve të Stacionit Policor në Gjilan në koordinim me Prokurorin e Shtetit janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në sqarimin dhe ndriçimin e të gjitha rrethanave të këtij rasti.