Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar 30 ditë paraburgim ndaj V.C., pronarit të dyshuar të një poligoni të licencuar në Gjakovë, i cili dyshohet se shiti në mënyrë të paautorizuar mbi 110 armë zjarri dhe më pas raportoi rrejshëm në Polici se ato i ishin vjedhur.

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë të ditur se ndaj V.C. ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve, ndërsa ka njoftuar edhe për nisjen e hetimeve ndaj dy personave të tjerë, me inicialet D.P. dhe L.U., të cilët gjenden në arrati.

Sipas Prokurorisë, dy të dyshuarit e tjerë dyshohet se kanë qenë personat të cilëve V.C. ua kishte shitur armët.

Reklamë

Në kërkesën për caktimin e paraburgimit, Prokuroria ka bërë të ditur se V.C. dyshohet se nga fillimi i tetorit 2026 deri më 30 tetor, në poligonin e armëve “T…” në Gjakovë, ka shitur mbi 110 armë zjarri që i kishte në depon e poligonit.

“Ekziston dyshim i bazuar se i pandehuri me inicialet V.C. […] me dashje dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi për armët dhe materiet plasëse, ka shitur në mënyrë të paautorizuar mbi 110 armë zjarri […] personave me inicialet D.P. dhe L.U. të cilët aktualisht gjenden në arrati”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Pas kësaj, sipas Prokurorisë, V.C. e kishte raportuar rastin në Policinë e Kosovës, duke pretenduar rrejshëm se armët i ishin vjedhur.

Përveç veprës penale që lidhet me shitjen e paautorizuar të armëve, ai dyshohet edhe për “Lajmërim apo kallëzim të rremë”.

Ndërkaq, ndaj D.P. dhe L.U. janë nisur hetimet për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

Reklamë