Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që Kosovës t’ia dorëzojë sa më parë pyetësorin për aplikimin për anëtarësim, në mënyrë që të hapet rruga drejt marrjes së statusit të vendit kandidat dhe nisjes së negociatave për anëtarësim.
Duke folur në konferencën për media pas publikimit të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, Kurti ka thënë se Kosova meriton të marrë statusin e shtetit kandidat, duke rikujtuar se aplikimi për anëtarësim është dorëzuar më 15 dhjetor 2022, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Pas një muaji bëhen katër vjet që nga koha kur kemi dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, më 15 dhjetor të vitit 2022, në prag të Republikës Çeke”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar se, pavarësisht kësaj, Kosova vazhdon të jetë i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka statusin e vendit kandidat.
“Përkundër kësaj, Kosova edhe më tej mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit-kandidat dhe, përveç përkrahjes politike nga Komisioni Evropian për të nisur procesin teknik, ende nuk ka pasur ndonjë lëvizje nga shtetet anëtare dhe institucionet e Bashkimit Evropian për t’i dhënë Komisionit mandatin politik për të nisur këtë proces”, ka thënë ai.
Kurti i është drejtuar edhe ambasadorit të BE-së në Kosovë, duke përsëritur kërkesën që pyetësori të dorëzohet sa më shpejt.
“Prandaj, ambasador, më lejoni ta ripërsëris kërkesën tonë për dorëzimin sa më parë të pyetësorit rreth aplikimit tonë, ashtu që të hapet rruga për statusin kandidat dhe çeljen e negociatave”, ka deklaruar kryeministri.
Ai ka thënë se integrimi në BE mbetet prioritet strategjik afatgjatë i Kosovës dhe se ky synim gëzon mbështetje të gjerë qytetare dhe konsensus ndërpartiak.
“Lejoni të ritheksoj përkushtimin tonë si qeveri dhe si shoqëri për anëtarësim të plotë të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian. Integrimi në BE mbetet prioritet ynë strategjik afatgjatë, siç edhe nënvizohet në raport”, ka thënë Kurti.
Megjithatë, ai ka vlerësuar se pozita e Kosovës në procesin e anëtarësimit nuk e pasqyron progresin që, sipas tij, ka bërë vendi.
“Me gjithë këtë, nuk mund ta lëmë pa e thënë se pozita e Kosovës në procesin e anëtarësimit nuk e pasqyron progresin që kemi bërë”, është shprehur ai.
Kurti: Raporti nuk konstaton kthim prapa në asnjë fushë
Duke folur për gjetjet e raportit, Kurti ka thënë se niveli i përgatitjes së Kosovës nuk ka rënë në asnjë fushë dhe se Komisioni Evropian nuk ka konstatuar kthim prapa.
“Në raportin e këtij viti, niveli i përgatitjes nuk ka rënë në asnjë fushë. Dhe Komisioni nuk konstaton kthim prapa askund”, ka deklaruar ai, shkruan Reporteri.net.
Sipas Kurtit, vlerësimi për Kosovën është përmirësuar në disa fusha, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar, reformën e administratës publike, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, lëvizjen e lirë të kapitalit, shërbimet financiare, statistikat, menaxhimin e fondeve të BE-së dhe lirinë e shprehjes.
Ai ka përmendur edhe vlerësimet për proceset zgjedhore, duke thënë se Komisioni Evropian i ka cilësuar tri palë zgjedhjet e mbajtura gjatë periudhës raportuese si paqësore, konkurruese dhe të menaxhuara mirë.
Kryeministri ka veçuar edhe vlerësimin për Policinë e Kosovës, për të cilën ka thënë se Komisioni konstaton se ka kapacitete të mira operacionale dhe hetimore.
“Komisioni vlerëson se Policia e Kosovës ka kapacitet të mirë operacional dhe hetimor”, ka thënë Kurti.
Ai ka përmendur gjithashtu dyfishimin e strukturave të inteligjencës në polici, shtimin e oficerëve të lagjeve, përfshirë në veri të vendit, si dhe përmirësimin e bashkëpunimit me policitë evropiane.
Në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë, Kurti ka theksuar se Kosova ka arritur përafrim të plotë me Bashkimin Evropian, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.
“Është e rëndësishme se nga ky vit të vlerësohemi zyrtarisht edhe në kapitullin 31 për politikën e jashtme, të sigurisë dhe atë të mbrojtjes”, ka deklaruar ai.
Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar
Kurti ka përmendur edhe rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar, duke thënë se Komisioni Evropian e ka ngritur vlerësimin për Kosovën në këtë fushë dhe ka konstatuar rritje të dënimeve përfundimtare.
Ai ka përmendur miratimin e ligjit kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, themelimin e fondit të konfiskimit dhe kapacitetet e Policisë së Kosovës për sekuestrimin e kriptoaseteve.
“Vitin e kaluar, policia shkatërroi rreth një ton e gjysmë narkotikë dhe konfiskoi mbi 1 mijë e 900 armë”, ka thënë Kurti.
Sa i përket luftës kundër korrupsionit, kryeministri ka pranuar se rezultatet në rastet e nivelit të lartë nuk janë në nivelin e kërkuar.
“Raporti konstaton gjithashtu se në rastet e nivelit të lartë rezultatet nuk janë aty ku duhet të jenë dhe këtë vërejtje e marrim seriozisht”, ka thënë ai, shkruan Reporteri.net.
Megjithatë, Kurti ka cituar raportin e Komisionit Evropian, sipas të cilit problemi kryesor lidhet me zbatimin dhe dënimet, e jo me kornizën ligjore.
“Dobësia kryesore qëndron te zbatimi dhe dënimi, jo te korniza ligjore”, ka cituar Kurti raportin.
Ai ka bërë të ditur se Qeveria do të miratojë strategjinë kombëtare kundër korrupsionit dhe do të forcojë me staf e buxhet Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe njësinë speciale hetimore të Policisë.
“Gjykimi i rasteve është punë e institucioneve të pavarura të drejtësisë dhe ne do t’i mbështesim me burime pa ndërhyrë në punën e tyre”, ka thënë kryeministri.
Kurti ka përmendur edhe zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit pas katër vjetësh me ushtrues detyre, si dhe plotësimin e përbërjes së Këshillit Prokurorial.
Përmend edhe Gjykatën Administrative dhe shërbimet në eKosova
Në pjesën për administratën publike, Kurti ka veçuar centralizimin e rekrutimit në shërbimin civil, themelimin e Gjykatës Administrative dhe zgjerimin e shërbimeve elektronike për qytetarët.
Ai ka thënë se në platformën eKosova tashmë janë mbi 330 shërbime.
Kryeministri ka përmendur edhe ndryshimet në procedurat për fitimin e shtetësisë, të cilat, sipas tij, ua lehtësojnë bashkatdhetarëve në shtetet e BE-së rifitimin e shtetësisë së Kosovës.
Në fillim të konferencës, Kurti ka thënë se Raportin e Progresit e kishte pranuar nga ambasadori i BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel, gjatë një takimi para konferencës për media.
Ai ka rikujtuar se periudha e raportimit është përkuar në pjesën më të madhe me ngërçin politik në vend, ndërsa ka thënë se pas zgjedhjes së presidentit më 6 tetor janë përshpejtuar reformat për integrim evropian.
“Tani që kemi institucione plotësisht stabile dhe funksionim demokratik, kemi përshpejtuar dinamikën e reformave për integrim në Bashkimin Evropian, në veçanti të reformave prioritare të Planit të Rritjes”, ka deklaruar Kurti./Reporteri.net/