Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka vlerësuar se mandati i plotë i Qeverisë së Kosovës krijon mundësi më të mira për avancimin e reformave dhe forcimin e stabilitetit institucional.

Këto komente ai i bëri pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, të cilit ia dorëzoi Raportin për Vendin 2026 të Komisionit Evropian.

Në konferencën për media, Schuebel ka thënë se raporti përfshin periudhën nga 7 tetori 2025 deri më 7 tetor 2026, gjatë së cilës Kosova është përballur me zhvillime të rëndësishme politike dhe institucionale.

Reklamë

Ai ka theksuar se në raport është përfshirë edhe sektori i sigurisë dhe mbrojtjes.

“Edhe në këtë raport është dedikuar një pjesë për sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes. Raporti përfshin periudhën prej 7 tetorit 2025 deri më 7 tetor 2026. Gjatë kësaj periudhe kemi pasur tri vite dhe një qeveri që ka punuar me kapacitete të plota. Kjo ka sjellë një situatë të caktuar dhe reflektohet edhe në raport”, ka deklaruar Schuebel.

Ambasadori ka vlerësuar se situata aktuale është ndryshe, pasi institucionet kanë mandat të plotë, gjë që, sipas tij, mund të ndikojë në përshpejtimin e reformave.

“Sot situata është më ndryshe. Kemi një mandat të plotë të qeverisë dhe kjo është diçka që e mirëpresim. Kjo do të ndihmojë në forcimin e stabilitetit të institucioneve të Kosovës”, ka thënë ai.

Schuebel ka shtuar se Kosova ka mundësi të ecë më shpejt në procesin e reformave, duke përmendur edhe dinamikën e vërejtur në zbatimin e agjendës së reformave.

Reklamë

“Është një mundësi për të ecur më shpejt përpara dhe kemi parë një dinamikë në zbatimin e agjendës së reformave. Duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të ndërmarrim hapat e nevojshëm për të avancuar këtë proces”, ka deklaruar ambasadori.

Duke folur për gjetjet e raportit, ai ka përmendur disa fusha ku Kosova ka shënuar progres, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar, reformën e administratës publike, statistikat dhe lëvizjen e lirë të kapitalit.

Schuebel ka veçuar edhe miratimin e legjislacionit për luftimin e shpëlarjes së parave, por ka theksuar se lufta kundër korrupsionit vazhdon të mbetet një sfidë që kërkon angazhim të mëtejshëm.

“Raporti tregon progresin e Kosovës në disa fusha, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar, reformat në administratën publike, statistikat, lëvizjen e lirë të kapitalit, si dhe miratimin e ligjit për luftën kundër shpëlarjes së parave. Megjithatë, lufta kundër korrupsionit mbetet një çështje që duhet të adresohet dhe për të cilën duhet të punohet më tutje”, ka deklaruar Schuebel.

Reklamë