Një tjetër mbrëmje e mbushur me futboll evropian na pret sot, me Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës që rikthehen me një program të jashtëzakonshëm.

Në total, 35 ndeshje do të zhvillohen gjatë ditës së sotme në këto dy gara, me 17 sfida në Ligën e Evropës dhe 18 të tjera në Ligën e Konferencës. Ndeshja Rennes–Olympiacos, pjesë e xhiros së katërt të Ligës së Evropës, u zhvillua të mërkurën dhe përfundoi pa gola.

Në Ligën e Evropës, vëmendja do të jetë te disa përballje mjaft interesante. Milan pret Ferencvarosin, Real Sociedad përballet me Lyonin, ndërsa Crystal Palace luan ndaj Hoffenheimit në ndeshjet që nisin nga ora 18:45.

Reklamë

Mbrëmja vazhdon me emra të mëdhenj të futbollit evropian. Juventusi do të luajë në udhëtim ndaj AZ Alkmaar, Bayer Leverkusen pret Marseille, Celtic përballet me Besiktasin, ndërsa Benfica kërkon pikët e radhës ndaj Lech Poznan. Në program është edhe përballja mes Sunderlandit dhe Dinamo Zagrebit.

Reklamë

Spektakël pritet edhe në Ligën e Konferencës, ku Atalanta do të presë Kairat Almatyn, Ajax udhëton te Midtjylland, ndërsa Trabzonspor përballet me Freiburgun.

Në sfidat e mbrëmjes veçohen Getafe–Brighton, Monaco–Nordsjaelland, Panathinaikos–CSKA Sofia dhe Copenhagen–Iberia Tbilisi.

Për tifozët shqiptarë, një nga ndeshjet më të rëndësishme të mbrëmjes zhvillohet në Rumani, ku Egnatia do të jetë mysafire e Universitatea Craiova, me fillim nga ora 21:00.


Kampionët e Shqipërisë ende nuk kanë pësuar humbje në fazën e ligës së Ligës së Konferencës. Egnatia barazoi 1-1 me Midtjyllandin në xhiron e parë dhe mori po një barazim 1-1 në udhëtim ndaj Aarhusit, duke grumbulluar dy pikë në dy takimet e para.

Përballë tyre do të jetë Craiova, e cila ka katër pikë pas dy ndeshjeve: barazoi 1-1 me Getafen dhe më pas fitoi 3-1 në udhëtim ndaj Inter Escaldes. Për Egnatian, një rezultat pozitiv në Rumani do të ishte një tjetër hap i rëndësishëm në synimin për ta vazhduar aventurën historike evropiane.

Ndeshjet e para të mbrëmjes në të dyja garat nisin nga ora 18:45, ndërsa pjesa tjetër e programit vazhdon nga ora 21:00, në një të enjte që premton shumë gola, emocione dhe përballje të forta në të gjithë Evropën./Telegrafi

Reklamë