Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar performancën e institucioneve të Kosovës, duke u mbështetur në gjetjet e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian.

Duke folur në hollin e Kuvendit të Kosovës, Lushaku ka thënë se vendi, edhe pas shumë vitesh, vazhdon të përballet me kritere të papërmbushura dhe probleme të përsëritura në fusha të ndryshme.

Ajo ka përmendur funksionimin joefikas të sistemit të drejtësisë, vrasjet e grave, dhunën në familje, ngecjet në zhvillimin ekonomik, inflacionin dhe vështirësitë ekonomike të qytetarëve.

Reklamë

Sipas saj, probleme ka edhe në sistemin e arsimit, ndërsa ka vlerësuar se mungojnë reformat në pothuajse të gjitha fushat.

Lushaku ka kritikuar edhe ritmin e integrimit evropian, duke thënë se Kosova nuk po shënon progresin e nevojshëm në agjendën evropiane. Për këtë gjendje, ajo ka fajësuar mungesën e seriozitetit institucional dhe Qeverinë aktuale, për të cilën ka thënë se integrimin evropian nuk e ka prioritet.