Nëna e Astrit Deharit, Xhemile Dehari ka shprehur pakënaqësinë për zvarritjen e hetimeve lidhur me rastin e djalit të saj, në 10-vjetorin e ngjarjes në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Para Prokurorisë Speciale, ajo ka thënë se këto dhjetë vjet kanë qenë periudhë e rëndë për të gjithë familjen, ndërsa ka kritikuar mungesën e një epilogu nga organet e drejtësisë.
“Prej fillimit kjo histori është shumë e gjatë. U bënë 10 vjet, maltretim për gjithë familjen, mirëpo prokuroria nuk ka marrë vendim asnjëherë. Dhjetë vjet në pritje, e kemi pak vështirë si familje, nuk është e lehtë me tejkalu”, ka deklaruar ajo para mediave.
Ajo ka shprehur shpresën se prokurori i ri që ka marrë në trajtim rastin do të arrijë të sjellë një epilog, pas viteve të tëra pritjeje.
“Secili prokuror që po vjen, po ia nis prej fillimit. Po shpresojmë që ky prokuror që e ka marrë tash është i ri, ndoshta ai bën dhe kryen një punë pa u pensionuar, të paktën ta marrim një epilog”, është shprehur nëna e Deharit.
Ajo ka theksuar se familja ende nuk e di se çfarë ka ndodhur me Astritin në burg dhe se, sipas saj, askush nuk ka marrë përgjegjësi për rastin.
“Ka ndodh vrasja në burg, po të kishte qenë në shtëpi, apo në ndonjë vend që ne do të ishim përgjigjur, iu kishim tregu se qysh ka ndodh, ne nuk e dimë, askush nuk ka marrë përgjegjësi. Prokuroria e ka bllokuar lëndën e Astritit”, ka thënë ajo.