Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka mbajtur një aksion simbolik para zyrave të Bashkimit Evropian në Prishtinë, në shënimin e gjashtëvjetorit të arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se përmes këtij aksioni kanë synuar të shprehin pakënaqësinë dhe mllefin e tyre ndaj Gjykatës Speciale, të cilën e konsiderojnë të padrejtë.

Gucati ka theksuar se aksioni është mbajtur para zyrës së BE-së për shkak se, sipas tij, Bashkimi Evropian e financon këtë gjykatë.

Reklamë

“Kemi bërë një aksion para zyrës së BE-së, që ta shprehim pakënaqësinë tonë, mllefin tonë, që kjo gjykatë është e padrejtë dhe kjo gjykatë financohet nga BE-ja”, ka deklaruar Gucati për mediat.

Përmes këtij aksioni, veteranët kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.