Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka dhënë detaje për punën e grupit strategjik të themeluar nga institucionet e Kosovës, i cili ka për detyrë hartimin e një strategjie shtetërore lidhur me procedurat e Apelit para dhomave të Specializuara në Hagë.
Në një konferencë për media, Konjufca ka bërë të ditur se grupi tashmë është konstituuar, janë miratuar rregullat e punës dhe është formuar grupi punues, i cili do të mbledhë dhe harmonizojë dokumentet dhe propozimet e institucioneve të përfshira.
“Ne e bëmë javën e kaluar themelimin e grupit strategjik sa i përket strategjisë që duhet ta implementojnë të gjitha strukturat shtetërore të Republikës sonë lidhur me procesin që e kemi në Hagë. Në mbledhjen e kaluar u konstituua ky grup, pastaj themeluam rregullat e punës se si do të punojmë dhe e krijuam edhe grupin punues, i cili do t’i përmbledhë në një dokument të gjitha idetë që ne i kemi. Edhe i kisha ndarë këto sipas kategorive të institucioneve të cilat e përbëjnë dhe përfaqësohen në këtë grup”, ka deklaruar Konjufca.
Duke shpjeguar përbërjen e grupit, ministri ka thënë se synimi është që në këtë proces të përfshihen të gjitha institucionet dhe përfaqësuesit politikë të vendit.
“Pra, Qeveria, e cila përfaqësohet përmes meje, e kemi edhe ministrin Hoti. E kemi përfaqësuesin e presidentes, të Kryesisë së Kuvendit dhe i kemi të përfaqësuara katër grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës, po ashtu edhe përfaqësuesin nga grupi i komuniteteve joshumicë, jo serbe”, ka thënë ai.
Konjufca ka bërë të ditur se mbledhja e ardhshme e grupit do të mbahet pasnesër dhe se ajo pritet të zgjasë gjatë gjithë ditës. Në këtë takim, sipas tij, do të shqyrtohen dokumentet e përgatitura veçmas nga institucionet dhe do të punohet për harmonizimin e tyre në një dokument të përbashkët.
“Në mbledhjen e ardhshme e kemi pasnesër dhe çka pritet të bëhet pasnesër, kjo do të jetë një mbledhje më e gjatë, do të jetë njëfarë mbledhjeje disaorëshe, e cila do të na marrë tërë ditën. Gjatë gjithë ditës do të punojmë që të gjitha dokumentet që i kemi nga të gjitha këto instanca, sepse secila prej tyre e ka prodhuar një lloj dokumenti, t’i sintetizojmë në mbledhjen e ardhshme. Pastaj grupi punues vazhdon punën dhe më pas të dalim me një strategji gjithëpërfshirëse”, ka deklaruar ministri.
Ai ka theksuar se strategjia do të përfshijë disa dimensione dhe se puna e grupit nuk do të jetë publike. Sipas tij, për shkak të natyrës së objektivave që synohen, edhe qasja në produktin përfundimtar mund të jetë e kufizuar.
“Veprimtaria e këtij grupi do të jetë goxha konfidenciale, se si i zhvillon punimet ky grup. Punimet tona nuk mund të jenë të hapura dhe ajo se si do ta merrni produktin e asaj çka ne prodhojmë mund të jetë edhe në një masë pak e kufizuar. Kjo më vjen keq që është kështu, por për shkak të natyrës së qëllimeve që do t’i arrijë ky grup strategjik dhe qëllimi është që me e fitu rastin”, ka thënë Konjufca.