Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka paralajmëruar se synon të kandidojë për kryetare të partisë në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa ka kritikuar Qeverinë Kurti për menaxhimin e sektorit të energjisë dhe mënyrën e zhvillimit të inspektimeve në kompanitë që prodhojnë produkte të qumështit.

Bajrami tha se ka interesim për ta marrë drejtimin e LDK-së, por se vendimin përfundimtar do ta lidhë me mënyrën se si do të zhvillohet procesi zgjedhor brenda partisë.

“Unë kam interesim dhe do kandidoj për kryetare të LDK-së në zgjedhjet e ardhshme kurdo që janë dhe do ishte mirë t’i kemi sa më shpejtë që është e mundur”, deklaroi Bajrami.

Reklamë

Ajo tha se aktualisht ka qëndrim pozitiv për kandidimin, por do ta zyrtarizojë atë vetëm nëse bindet se procesi do të jetë i drejtë.

“Përfundimisht do të vendosi, tani kam qëndrim pro, por kandidaturën do e analizoj si po shkon procesi zgjedhor. Nëse jam e bindur që ka proces të drejtë…”, shtoi ajo në T7.

Përveç zhvillimeve brenda LDK-së, Bajrami ka kritikuar edhe menaxhimin e sektorit të energjisë nga Qeveria Kurti, duke thënë se ky sektor, sipas saj, e pasqyron më së miri keqqeverisjen e ekzekutivit.

“Po përballemi me import të lartë, shifrat nga Dogana tregojnë që për muajt janar-shtator të vitit 2026, Kosova ka importuar 182 milionë euro, derisa në vitin e kaluar ishte 259 milionë euro”, tha ajo.

Bajrami paralajmëroi se kostoja e importit të energjisë do të reflektohet në faturat e konsumatorëve.

Reklamë

“Gjithë këtë import të energjisë elektrike është e papërballueshme, do i paguajmë direkt nga xhepat, do inkorporohen në fatura”, deklaroi deputetja e LDK-së.

Ajo foli edhe për hetimet që lidhen me atë që e ka cilësuar si “mafia energjetike”, duke bërë të ditur se është intervistuar në cilësinë e dëshmitares.

“Kam qenë e intervistuar si dëshmitare për atë që unë kam folur për ‘mafinë energjetike’”, tha Bajrami.

Sipas saj, në sektorin e energjisë ekzistojnë dyshime që duhet të hetohen, ndërsa si shembull të keqmenaxhimit përmendi projektet për remontin e blloqeve, të cilat, sipas saj, kanë tre vjet në proces të tenderimit.

Reklamë

“Dyshimet ekzistojnë… kemi projekte për remont të blloqeve që janë në proces të tenderimit qe tre vite, dhe ky është keqmenaxhim”, u shpreh ajo.

Bajrami tha se është në dijeni për hetimet që po zhvillohen dhe shprehu shpresën që ato të mos mbyllen.

“E di që ka hetim dhe uroj të mos mbyllen hetimet”, shtoi ajo.

Në të njëjtën intervistë, deputetja e LDK-së kritikoi edhe inspektimet e zhvilluara në kompanitë që prodhojnë produkte të qumështit, duke e akuzuar ministrin Armend Muja se, sipas saj, e kishte shndërruar këtë proces në një “shou medial”.

Reklamë

“Ka qenë komplet gabim nga ana e Armend Mujës, ka qenë përsekutim, ka bërë shou medial…”, deklaroi Bajrami.

Ajo vlerësoi se këto veprime kanë qenë të gabuara dhe kanë dëmtuar imazhin e prodhuesve vendorë.

“Jam e sigurt që e ka dëmtu imazhin e secilit produkt vendor”, tha Bajrami.