Aktori dhe komediani britanik Russell Brand është shpallur fajtor për përdhunim dhe tre raste sulmi seksual ndaj katër grave, për ngjarje të ndodhura mes viteve 2005 dhe 2009, në vende të ndryshme. Vendimi u dha të enjten nga juria e Gjykatës së Southëark në Londër.

Brand, 51 vjeç, u shpall fajtor për katër akuzat, ndërsa u shpall i pafajshëm për dy akuza të tjera përdhunimi dhe një akuzë për tentativë sulmi të pahijshëm seksual. Gjatë leximit të vendimit, ai qëndroi me sytë mbyllur dhe nuk shfaqi asnjë reagim.

Gjykatësi Joel Bennathan deklaroi se aktori përballet me një dënim të konsiderueshëm me burg. Brand do të mësojë masën e dënimit të hënën, ndërsa pas shpalljes fajtor gjykata vendosi ta lërë në paraburgim deri atëherë. Kërkesa e avokatit të tij për lirimin me kusht gjatë fundjavës u refuzua.

Reklamë

Bashkëshortja e tij, Laura, ndoqi seancën nga salla e publikut. Avokati Ian Winter i kërkoi gjykatësit të lejonte lirimin e Brandit përkohësisht, me argumentin se ai duhej të kishte mundësinë të rregullonte çështjet personale dhe, veçanërisht, të përshëndetej me tre fëmijët e tij të vegjël. Kërkesa u refuzua nga gjykatësi, i cili tha se Brand kishte burime të konsiderueshme financiare dhe se ekzistonte frika se mund të mos paraqitej për të vuajtur dënimin.

Nga bankina e të akuzuarve, aktori i bëri me shenjë ekipit të tij mbrojtës se ishte mirë, duke përsëritur: “Jam mirë, jam mirë, jam mirë”, përpara se të largohej nga salla.

Sipas akuzës, veprat penale për të cilat Brand u shpall fajtor kanë ndodhur në periudhën 2005-2009, në vende të ndryshme, përfshirë një stacion radioje, ambientet ku po realizohej një regjistrim DVD-je dhe banesën e tij. Gjatë gjyqit katërjavor, ai i mohoi të gjitha akuzat, duke deklaruar se, megjithëse kishte pasur një jetë seksuale të shthurur, marrëdhëniet e tij kishin qenë gjithmonë me pëlqimin e palëve.

Pas vendimit, policia metropolitane e Londrës vlerësoi guximin dhe vendosmërinë e grave që denoncuan rastet. Andy Furphy, drejtues i hetimit në Policinë Metropolitane, deklaroi se Brand kishte përdorur famën, statusin dhe ndikimin e tij për të shfrytëzuar gratë dhe për të kryer abuzime seksuale.

“Sa më shumë rritej fama e tij, aq më shumë rritej edhe ndjenja e së drejtës për të bërë çfarë të donte. Shpresoj që ky vendim të dërgojë një mesazh të qartë se askush nuk është mbi ligjin, pavarësisht sa i famshëm apo i fuqishëm është”, u shpreh Furphy.

Reklamë

Edhe prokurori David Roberts e cilësoi sjelljen e aktorit si grabitqare, duke thënë se ai kishte shfrytëzuar statusin e tij publik për të kryer krime seksuale. Sipas tij, Brand ishte manipulues dhe kërkonte të merrte atë që dëshironte, pavarësisht nëse kishte apo jo pëlqimin e grave.

Russell Brand, i cili ka qenë për një periudhë të shkurtër i martuar me këngëtaren amerikane Katy Perry, përballet edhe me pretendime të tjera për përdhunim ndaj dy grave, mes tyre edhe një vajzë 16-vjeçare në kohën e ngjarjes. Këto akuza u përmendën gjatë seancave të mëparshme, por nuk ishin pjesë e gjyqit për të cilin u shpall vendimi të enjten. Vetëm për veprën e përdhunimit, dënimi maksimal në Britaninë e Madhe është burgim i përjetshëm.