Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu, ka deklaruar se institucionet e Kosovës kanë obligim të bëjnë gjithçka që është e mundur për të siguruar një proces të drejtë gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Lushaku ka komentuar takimin e grupit punues për hartimin e strategjisë shtetërore lidhur me apelimin e aktgjykimit të Gjykatës Speciale.

“Ky grup synon që shteti i Kosovës të krijojë një strategji shtetërore kundrejt procesit i cili është në Hagë, me qëllim final që të ketë një proces fer, duke mbrojtur të drejtat e njeriut, procedurat dhe gjithë përshkrimin e punës që ka vetë gjykata”, ka deklaruar Lushaku Sadriu në KlanKosova.

Reklamë

Ajo ka shtuar se institucionet e Kosovës e kanë obligim të ofrojnë të gjitha kushtet e nevojshme për një gjykim të drejtë.

“Si shtet e kemi obligim që të bëjmë gjithçka që të sigurojmë që atje të ketë një gjykim fer, një proces fer dhe që i del ballë këtij gjykimi, duke ofruar të gjitha kushtet dhe procesin sa më të drejtë”, ka thënë ajo.