Një kompani ajrore ka bërë një gjest të pazakontë në nderim të Cristiano Ronaldos, pas pensionimit të tij nga Kombëtarja e Portugalisë.
Të enjten, Ronaldo njoftoi zyrtarisht se kishte zhvilluar ndeshjen e fundit me kombëtaren portugeze, duke i dhënë fund një kapitulli historik pas një përplasjeje me përzgjedhësin Jorge Jesus.
Ylli portugez ishte larguar nga grumbullimi i Kombëtares gjatë pushimit të fundit ndërkombëtar, pasi nuk ishte aktivizuar në fitoren 2-1 ndaj Norvegjisë. Për këtë veprim, Federata Portugeze e Futbollit e kishte dënuar me një gjobë të vogël dhe pezullim.
Pas publikimit të një deklarate të gjatë prej 1,740 fjalësh, pesë herë fituesi i Topit të Artë konfirmoi se po i jepte fund karrierës me Portugalinë, me 146 gola të shënuar në 234 paraqitje.
Ronaldo, i cili e bëri publik vendimin përmes një videoje pesëminutëshe, nuk pritet të ketë një ndeshje lamtumire me Kombëtaren. Megjithatë, një kompani ajrore holandeze ka gjetur një mënyrë krejt të veçantë për ta nderuar atë.
Transavia, e cila operon në 110 destinacione në Evropë dhe Afrikën e Veriut, përfshirë Funchalin në Madeira, vendlindjen e Ronaldos, ka vendosur të heqë një ulëse nga rezervimet për fluturimet drejt këtij destinacioni.
Bëhet fjalë për ulësen me numrin 7C, e cila nuk do të jetë më e disponueshme për pasagjerët, si një homazh për legjendën portugeze.
Kompania e bëri të ditur këtë veprim përmes një postimi në Instagram, ku shkroi: “CR7 i var këpucët në gozhdë, edhe ulëset tona me numrin 7C tani janë hequr nga fluturimet drejt Funchalit”.
Në fotografinë e publikuar shfaqet fanella me numrin 7 e Ronaldos nga Portugalia, e vendosur në ulësen pranë korridorit. Përmes këtij gjesti, kompania synon të nderojë një prej futbollistëve më të mëdhenj në histori.
Numri 7 është sinonim i Cristiano Ronaldos, të cilin ai e ka bartur me krenari gjatë gjithë karrierës me Portugalinë. Megjithatë, ndryshe nga gjesti i kompanisë ajrore, fanella e tij nuk mund të pensionohet zyrtarisht nga Kombëtarja.
Kjo për shkak të rregullave të FIFA-s, të cilat përcaktojnë se numrat nga 1 deri në 26 duhet të jenë të zënë në ndeshjet zyrtare të kombëtareve./Telegrafi/

