Një shtetas venezuelas është arrestuar të enjten në mbrëmje pranë Shtëpisë së Bardhë, pasi zyrtarët e policisë e gjetën në një veturë të vjedhur, ku ndodheshin tri armë zjarri dhe sasi të mëdha municioni.

“Kur zyrtarët u përballën me të dyshuarin, ai tha se kishte dëgjuar zëra në kokën e tij që i thoshin të shkonte në Washington D.C. dhe ta vriste presidentin Trump”, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, të publikuar më 6 nëntor, raporton Politico.

I dyshuari, i identifikuar si Ronny Yordrix Guanipa Chrinos, ishte i parkuar në rrugën Constitution Avenue, kur zyrtarët iu afruan për shkak të “sjelljes së dyshimtë”, thuhet në deklaratë.

Reklamë

Gjatë kontrollit të automjetit, zyrtarët gjetën një armë të tipit MAC-10, një pistoletë Glock 43X dhe një pushkë AR-15, si dhe dhjetëra fishekë. Automjeti paraprakisht ishte raportuar i vjedhur.

Chrinos është akuzuar për vepra penale që lidhen me armëmbajtjen dhe automjetin, ndërsa vazhdon të mbahet në paraburgim nga Shërbimi i Marshallëve të SHBA-së.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare e përshkroi të dyshuarin si një “emigrant të paligjshëm”, i cili kishte hyrë në SHBA përmes Teksasit në mars të vitit 2024.

Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, konfirmoi në deklaratë se zyrtarët e arrestuan Chrinosin “para se të arrinte të lëndonte dikë”.

“Ky është rasti më i fundit që dëshmon se pjesëtarët e Shërbimit Sekret, falë trajnimit dhe përvojës së gjerë, arrijnë të qetësojnë situata të tensionuara, të cilat përbëjnë kërcënim të menjëhershëm për personat që janë nën mbrojtjen tonë dhe për qytetarët e tjerë amerikanë”, shtoi drejtori i Shërbimit Sekret të SHBA-së, Sean Curran.

Reklamë

Trumpi kishte mbijetuar më herët një atentat gjatë një tubimi elektoral në Butler të Pensilvanisë, në korrik të vitit 2024.

Sulmuesi e kishte plagosur Trumpin, kishte vrarë një pjesëmarrës në tubim dhe kishte plagosur rëndë dy persona të tjerë, përpara se të qëllohej për vdekje nga forcat e rendit.