Në Jahoc të Gjakovës kanë nisur punimet e para për ndërtimin e një prej projekteve më të rëndësishme të industrisë së mbrojtjes në Kosovë.
Nga Ministria e Mbrojtjes kanë konfirmuar se projekti është duke u realizuar sipas dinamikës së paraparë dhe marrëveshjes së nënshkruar me kompaninë shtetërore turke MKE.
“Punimet për realizimin e projektit të fabrikës së municioneve kanë filluar dhe janë duke vazhduar sipas marrëveshjes së nënshkruar me kompaninë shtetërore turke MKE. Sipas afateve të parapara, pritet që deri në fund të këtij viti të fillojë prodhimi i parë testues i municioneve ‘Made in Kosova’”.
“Ky projekt nuk përfshin vetëm ndërtimin e një fabrike, por krijimin e një kompleksi industrial të prodhimit të municioneve, me infrastrukturë mbështetëse, laboratorë testimi dhe kalibrimi, depo dhe objekte të tjera të nevojshme për funksionimin e tij”, ka deklaruar shefja e kabinetit në Ministrinë e Mbrojtjes, Liridona Gashi për RTK-në.
“Me miratimin e saj hapim rrugë në terren për ndërtimin e fabrikës së municioneve, të parës së llojit të saj në republikën e pavarur, që do t’i shërbejë ushtrisë sonë, do ta rrisë sigurinë tonë dhe do t’i ngrisë edhe më tej kapacitetet tona mbrojtëse. Ndërtimi i kësaj fabrike për të cilën tashmë kemi kontratë të nënshkruar me prodhuesin turk MKE, do të përfundojë brenda vitit të ardhshëm. Municionet e para nga kjo fabrikë do të dalin në fundin e vitit 2026. Kjo zonë industriale do të shërbejë edhe për investitorët e tjerë me të cilët jemi në kontakt dhe do të prodhojnë produkte të ndryshme ushtarake, dronët ushtarakë dhe civilë “Made in Kosova”, kishte deklaruar Kurti në mbledhjen e Qeverisë më 27 nëntor të vitit 2025.
“Ne tashmë kemi marrë hapa fillestar në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes. Në fund të këtij viti, në dhjetor, do të kemi prodhimin e municioneve të para të prodhuara ndonjëherë në Kosovë – 7.62 dhe 5.56 mm. Kjo lidhet me fabrikën e municionit, ku kemi një plan zhvillimi dhe zotim nga pala turke, nga fabrika shtetërore e prodhimit të municionit në Turqi, që të realizojmë prodhimin e parë në dhjetor”, ka thënë ai në Tëvë1.
Maqedonci ka sqaruar se bëhet fjalë për dy lloje fishekësh që përdoren më së shumti në ushtritë e vendeve të NATO-s: 5.56 mm, standard për pushkët individuale të ushtarëve, dhe 7.62 mm, standard për armët ekipore të njësive ushtarake. /Reporteri.net/.