Kosova vazhdon të përballet me varësi të lartë nga importi i energjisë elektrike, duke regjistruar një deficit të konsiderueshëm në tregtinë e këtij sektori.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, gjatë periudhës janar-tetor 2026 vendi importoi energji elektrike në vlerë prej rreth 205.3 milionë eurosh, ndërsa eksportet arritën në rreth 83.7 milionë euro.
Diferenca mes importit dhe eksportit arrin në afërsisht 121 milionë euro, duke dëshmuar varësinë e Kosovës nga furnizimi me energji elektrike prej tregjeve të jashtme.
Maqedonia e Veriut ishte vendi prej nga Kosova importoi më së shumti gjatë periudhës janar–tetor 2026.
Nga gjithsej 205.3 milionë euro energji elektrike të importuar, rreth 86.8 milionë euro erdhën nga Maqedonia e Veriut. Në vendin e dytë renditet Shqipëria, me rreth 69.5 milionë euro, ndërsa nga Mali i Zi u importuan rreth 22.2 milionë euro.
Pasojnë Zvicra me 13.6 milionë euro, Greqia me 4.5 milionë euro, Danimarka me 3.9 milionë euro dhe Bullgaria me 3.2 milionë euro etj.
Kurse nga Serbia vlera e energjisë elektrike të importuar për periudhën janar-tetor 2026, ka qenë saktësisht rreth 712 mijë euro.
Ndërsa sa i përket eksportit të energjisë elektrike, pjesa më e madhe u është eksportuar shteteve të rajonit.
Shqipëria dominon me 59.53 milionë euro, Maqedonia e Veriut 16.76 milionë euro, Mali i Zi 3.55 milionë euro, Zvicër 2.63 milionë euro, Greqi 560 mijë euro, Serbi 509 mijë euro, Danimarkë 112 mijë euro dhe Slloveni 48 mijë euro.
Kjo situatë pasqyron sfidat me të cilat përballet sektori energjetik në vend, veçanërisht në raport me mbulimin e kërkesës përmes prodhimit vendor.
Varësia nga importi mbetet një prej çështjeve kryesore për sigurinë energjetike të Kosovës, ndërsa rritja e kapaciteteve prodhuese vendore shihet si një nga faktorët e rëndësishëm për uljen e këtij deficiti. /Telegrafi/
