Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës është më e gatshme për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Rashiq e ka lidhur këtë gatishmëri me fitoren e Listës së Studentëve në zgjedhjet në Serbi.

Sipas tij, rrethanat e reja politike në Serbi mund të krijojnë mundësi për përparim në çështjen e Asociacionit, e cila prej vitesh mbetet e pazgjidhur.

Reklamë

“Shiqo, është një obligim si çdo pikë që është brenda marrëveshjeve dhe nuk mund të zhduket, ato janë në tavolinë dhe vetëm varet prej nesh se kur do të veprojmë në atë drejtim. Konsideroj që Qeveria e Kosovës, ku edhe unë jam pjesë e saj, besoj që është më e gatshme tani, në një moment edhe pothuajse revolucionar apo historik, ku mund ndoshta marrëdheniet mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrijnë një nivel pak më ndryshe. Sipas meje, ky është momenti kur të gjithë ne duhet të japim kontributin dhe të jemi të armatosur me durim, tolerancë dhe bashkëkuptim” – ka thënë Rashiq për Express.

Rashiq ka sugjeruar gjithashtu që çështja e njohjes së Kosovës nga Serbia të lihet përkohësisht anash.

“Kemi disa marrëveshje që s’janë implementuar ende. Ka shumë elemente që shkojnë në favor të një stabilizimi dhe bashkëpunimi. Unë çka kisha propozuar e që besoj ta kem rastin që të tregojë që njohja ose mosnjohja të mbetet si element i cili është anash, është aty por nuk diskutohet në këtë moment.” – ka shtuar Rashiq.