Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet A.S., i cili dyshohet se ishte i përfshirë në sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës gjatë trazirave të 29 majit 2023 në Zveçan.

I pandehuri akuzohet për veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 29 maj 2023, nga ora 06:00 e mëngjesit deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin ku ndodhet objekti i Komunës së Zveçanit.

Reklamë

Prokuroria pretendon se A.S., në koordinim me persona të tjerë të dyshuar, të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, ka marrë pjesë në grupin që kreu veprat penale.

Ai dyshohet se, në bashkëkryerje me të tjerët, përmes përdorimit të dhunës ka sulmuar ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri.

Si pasojë e sulmeve, sipas Prokurorisë, janë lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe së paku 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda.

Gjatë sulmit, sipas njoftimit, janë dëmtuar dhe sulmuar edhe veturat e gazetarëve që po raportonin nga ngjarjet e asaj dite.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se do të vazhdojë të ndërmarrë veprimet e nevojshme për hetimin e plotë të sulmit të 29 majit 2023, i cili kishte për cak pjesëtarët e Policisë së Kosovës, KFOR-in dhe gazetarët.

Reklamë