Mercedes-Benz ka prodhuar vetëm 75 ekzemplarë të modelit SLR McLaren Stirling Moss, të cilët dallohen për mungesën e xhamit të përparmë, dritareve anësore dhe çatisë. Njëri prej ekzemplarëve të fundit të prodhuar pritet të dalë në ankand, me një vlerësim që tejkalon 6 milionë dollarë.

Shtëpia e ankandeve RM Sotheby’s do ta ofrojë veturën Mercedes-Benz SLR McLaren Stirling Moss të vitit 2010 në ankandin që do të mbahet nga 26 nëntori deri më 3 dhjetor 2026. Ajo ka përshkuar vetëm 32.9 milje që nga dalja nga fabrika, në dhjetor të vitit 2009.

Reklamë

Ky model është i pajisur me motor V8 5.4 litra me kompresor mekanik, që zhvillon 650 kuajfuqi. Sipas të dhënave të prodhuesit, përshpejtimin nga 0 në 60 milje në orë (rreth 96 km/h) e arrin për 3.5 sekonda, ndërsa shpejtësia maksimale është 220 milje në orë (rreth 354 km/h).

Prodhimi i SLR McLaren Stirling Moss u realizua nga Mercedes-Benz dhe McLaren gjatë periudhës qershor-dhjetor 2009. Ekzemplari që do të dalë në ankand mban një rëndësi të veçantë, pasi është vetura e fundit e prodhuar e këtij modeli.

Fillimisht, ajo iu dorëzua familjes mbretërore të Kuvajtit, e cila e mbajti deri në vitin 2024, kur u ble nga pronari aktual. Kështu, gjatë gjithë historisë së saj ka pasur vetëm dy pronarë privatë.

Vetura dallohet edhe për konfigurimin e saj të veçantë, me ngjyrën Fire Opal Red, e cila është përdorur vetëm në një numër të vogël të ekzemplarëve Stirling Moss. Ky nuancim specifik nuk është përsëritur në asnjë veturë tjetër të serisë.

Reklamë

Një ekzemplar tjetër i ngjashëm, i lyer me ngjyrën Rosso Corsa, i përket familjes mbretërore të Jordanisë që nga momenti i prodhimit dhe nuk pritet të dalë në treg.

Në pjesën e brendshme, Mercedes-Benz ka përdorur lëkurë të kuqe me qepje të verdha kontrastuese, kombinim që fabrika e emërtoi Silver Arrow. Në vend të elementeve të zakonshme prej fibrash karboni, kabina është pajisur me Alutex, një material i përbërë tekstil dhe i lehtë. Edhe kaliprat e frenave janë përfunduar në ngjyrë ari, ndryshe nga nuancat e kuqe ose argjendi që përdoreshin zakonisht.

Reklamë

Një tjetër veçori e rrallë është sistemi audio i instaluar nga fabrika. Shumica e ekzemplarëve Stirling Moss nuk ishin pajisur me një sistem të tillë, ndërsa këtë konfigurim e kanë vetëm vetura që do të dalë në ankand dhe ekzemplari i familjes mbretërore të Jordanisë.

Asnjëri prej 75 ekzemplarëve të këtij modeli nuk është prodhuar sipas specifikimeve amerikane. Mungesa e xhamit të përparmë dhe e xhamave tradicionalë e bënte të pamundur homologimin e tyre sipas kërkesave të zakonshme federale të sigurisë në SHBA.

Megjithatë, pronarët mund të shfrytëzonin programin “Show or Display” të Administratës Kombëtare për Sigurinë në Trafikun e Autostradave (NHTSA), i krijuar në vitin 1999. Ky program lejon përdorimin e kufizuar në rrugë të veturave të rralla, me rëndësi historike ose teknologjike.

Reklamë

Ekzemplari që do të dalë në ankand është përshtatur plotësisht me kërkesat federale dhe është regjistruar për qarkullim në SHBA. Punimet janë kryer nga kompania G&K Automotive Services gjatë vitit 2026.

 

Vetura ishte regjistruar fillimisht në Zvicër më 16 mars 2010, në kantonin Vaud, përpara se të dërgohej në Kuvajt dhe më pas të përfundonte në duart e pronarit aktual amerikan.

Reklamë

Historia e dokumentuar e pronësisë, kilometrazhi jashtëzakonisht i ulët dhe fakti se bëhet fjalë për ekzemplarin e fundit të prodhuar e bëjnë këtë veturë një objekt të veçantë për koleksionistët.

Me një vlerësim që tejkalon 6 milionë dollarë, ky SLR McLaren Stirling Moss mund të renditet ndër ekzemplarët më të shtrenjtë të këtij modeli të shitur ndonjëherë në ankand. Ai përfaqëson gjithashtu veturën e fundit që Mercedes-Benz dhe McLaren prodhuan mbi këtë platformë.