Fiat po planifikon rikthimin e modelit të njohur Punto, me synimin për të rimarrë një pjesë të tregut ku aktualisht dominon Renault Clio.
Drejtori ekzekutiv i Fiatit, Arnaud Belloni, ka deklaruar se marka duhet ta ketë sërish në ofertën e saj një model të tillë, duke theksuar se ndërprerja e prodhimit të Punto-s i krijoi Renault-it mundësinë për ta forcuar pozitën e Clio-s.
Sipas tij, largimi nga tregu i modeleve Fiat Punto dhe Ford Fiesta, si dhe mungesa e një gjenerate të re të Volkswagen Polo-s, i dhanë Renault Clio-s hapësirë të madhe për të dominuar segmentin, duke arritur sukses të konsiderueshëm në shitje.
Fiat dëshiron ta rikthejë Punto-n me motorë tradicionalë me djegie të brendshme dhe versione hibride, në vend që modeli të jetë vetëm elektrik.
Për këtë qëllim, kompania mund të përdorë platformën CMP/eCMP të grupit Stellantis, e cila tashmë shfrytëzohet nga disa modele kompakte dhe SUV të markave të këtij grupi. Kjo do t’i mundësonte Fiatit zhvillimin e një modeli të ri pa pasur nevojë për investime të mëdha.
Punto i parë u prezantua në vitin 1993 si pasardhës i modelit Uno. Gjenerata e dytë doli në vitin 1999, ndërsa në vitin 2005 u prezantua Grande Punto. Ky i fundit, me disa përditësime, qëndroi në treg deri në vitin 2018.
Belloni ka bërë të ditur se rikthimi nuk do të ndodhë menjëherë, por modeli i ri Fiat Punto pritet të prezantohet brenda dy deri në tri vjetësh.