Kylian Mbappe nuk ka marrë pjesë në stërvitjen e së mërkurës me Përfaqësuesen e Francës, duke vënë në dyshim paraqitjen e tij në ndeshjen e radhës në Ligën e Kombeve.
Sulmuesi i Real Madridit nuk do të jetë në dispozicion për përballjen e së enjtes ndaj Italisë, që zhvillohet në stadiumin “San Siro”. Megjithatë, ekziston mundësia që ai të rikthehet për duelin e së dielës kundër Turqisë, në Bordeaux.
Në ndërkohë, përzgjedhësi Zinedine Zidane ka vendosur t’u japë mundësinë dy emrave të rinj. Për herë të parë në stërvitjen me ekipin A të Francës është përfshirë Senny Mayulu, sulmuesi 20-vjeçar i Paris Saint-Germainit.
Ftesën e parë nga Zidane e ka marrë edhe Eli Junior Kroupi i Bournemouthit, i cili është ftuar për ta zëvendësuar Marcus Thuramin e Interit, që po vuan nga një lëndim muskulor.
Franca e kryeson grupin në Ligën e Kombeve dhe ka një mundësi të mirë për ta siguruar kualifikimin në çerekfinale. Fitorja ndaj Italisë do t’ia garantonte avancimin në fazën tjetër të garës.