Seanca parlamentare e thirrur me kërkesë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për diskutimin e Raportit të Progresit, po vazhdon ende, por ajo që bie në sy është mungesa e deputetëve të kësaj partie në sallën e Kuvendit.

Ndonëse ishte pikërisht LDK-ja ajo që kërkoi mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme, në momentin e zhvillimit të saj, asnjë deputet i kësaj partie nuk po qëndron në sallë.

Reklamë

Ditë më parë, Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës,  Jehona Lushaku, kishte bërë të ditur se gjatë kësaj jave pritet të mbahet një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit, ku do të shqyrtohen gjetjet dhe rekomandimet e Raportit të Progresit të Bashkimit Evropian për Kosovën.

Lushaku kishte shkruar se për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme gjatë kësaj jave ishte ndërmarrë iniciativa për mbledhjen e nënshkrimeve të nevojshme.

“Ndërkohë, po ua kujtoj se javën e kaluar kemi pasur Raportin e Progresit, i cili ka qenë një raport alarmant që ka vërtetuar dështimin e kësaj qeverie dhe këtij pushteti në shumë fusha. Në kontrast me këtë, Kryesia ka marrë nismën për përcjelljen e një seance të jashtëzakonshme gjatë kësaj jave, në të cilën do të diskutohet për rezultatet dhe konstatimet e Raportit të Progresit”, ishte shprehur Lushtaku.