Transporti dhe shërbimet e tjera publike në mbarë Spanjën janë përballur me ndërprerje të rënda gjatë grevës së parë të përgjithshme në 14 vitet e fundit, të thirrur nga sindikatat kryesore për shkak të çështjeve të strehimit dhe kostos së lartë të jetesës, ka raportuar BBC.
Në mbarë vendin janë zhvilluar demonstrata, përfshirë në Madrid dhe Barcelonë, ku në mbrëmje marshuan dhjetëra mijëra njerëz.
Spanjollët pritet të votojnë në zgjedhjet parlamentare më 29 nëntor.
Kreu i sindikatës së madhe UGT, Pepe Álvarez, deklaroi se greva ishte një sukses me një pjesëmarrje “masive”, ndërsa Unai Sordo nga sindikata CC OO u shpreh se pjesëmarrja ishte “shumë e konsiderueshme”.
Megjithatë, Konfederata Spanjolle e Organizatave të Biznesit vlerësoi se pjesëmarrja ishte “e ulët dhe e pabarabartë”, në varësi të zonave dhe sektorëve të përfshirë.
Disa nga ndërprerjet më të mëdha të mërkurën u regjistruan në qendrat kryesore industriale të Madridit dhe në rajonin verilindor të Katalonjës, ku qarkullimi u bllokua në disa rrugë kryesore.
Ministria e Brendshme njoftoi se dhjetëra persona janë arrestuar për incidente të ndryshme, ndërsa raportimet nga Spanja tregojnë se zyrat e agjencive imobiliare kanë qenë objekt sulmesh.