Një 19-vjeçar është arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Transit 3”, ndërsa një tjetër person është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se në bashkëpunim transportonin kundrejt pagesës katër shtetas kinezë, të cilët synonin të kalonin ilegalisht kufirin drejt Greqisë.

Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, pas marrjes së informacioneve për transportimin e paligjshëm të emigrantëve, raporton A2.

Në pranga përfundoi M. M., 19 vjeç, banues në Konispol, ndërsa në kërkim u shpall A. S., 21 vjeç, banues në Kosovë.

Reklamë

Sipas policisë, 19-vjeçari monitoronte rrugën për të sinjalizuar praninë e uniformave blu, ndërsa bashkëpunëtori i tij transportonte me automjet katër shtetasit kinezë në drejtim të Konispolit.

Në momentin e ndërhyrjes së policisë, në afërsi të Konispolit, 21-vjeçari braktisi automjetin dhe u largua me vrap, duke përfituar nga errësira dhe terreni.

Policia ka sekuestruar dy automjetet që dyshohet se përdoreshin për këtë veprimtari, ndërsa vijon puna për kapjen e personit të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të rastit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Sarandës për veprime të mëtejshme.