Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se operatorët privatë kanë nisur t’i dalin në ndihmë kompanisë publike “Pastrimi” për menaxhimin dhe largimin e mbeturinave në kryeqytet.

Përmes një postimi në Facebook, Rama ka thënë se Komuna është detyruar të kërkojë ndihmën e UNDP-së për angazhimin e operatorëve privatë, pasi, sipas tij, projektet e komunës për përmirësimin e shërbimeve të pastrimit janë penguar nga Qeveria.

Ai ka përmendur si shembull krijimin e një kompanie të re komunale të pastrimit, për të cilën pretendon se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka dhënë vlerësim negativ.

Reklamë

Rama ka thënë gjithashtu se Komuna kishte arritur marrëveshje me KfW-në për sigurimin e 100 kamionëve shtesë për kompaninë “Pastrimi”, por sipas tij, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka refuzuar ta nënshkruajë marrëveshjen.

“E kemi arritur marrëveshjen me KfW-në për 100 kamionë shtesë për kompaninë ‘Pastrimi’. Prapë na bllokuan. Hekuran Murati veç ka vendos mos me nënshkru!”, ka shkruar Rama.

Ai ka bërë të ditur se, për shkak të situatës, Komuna ka kërkuar mbështetjen e UNDP-së për angazhimin e operatorëve privatë, të cilët tashmë kanë filluar të ndihmojnë në largimin e mbeturinave.

“Prandaj, jemi detyru me kërku ndihmë nga UNDP-ja për angazhimin e operatorëve privatë, që t’i dalin në ndihmë kompanisë ‘Pastrimi’ në menaxhimin e mbeturinave në Kryeqytet”, ka deklaruar ai.

Rama i ka cilësuar pengesat e pretenduara nga Qeveria si bllokada politike ndaj komunave që nuk udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.

Reklamë

“Sepse kjo Qeveri ka vendosë me shpallë armik secilën komunë që nuk udhëhiqet nga Vetëvendosje! Dhe kjo është marrja ma e madhe që e ka pa Kosova, me i lanë qytetarët pa shërbime, veç pse nuk ta kanë votu partinë!”, ka shkruar kryetari i Prishtinës.

Ai ka thënë se bashkë me drejtorin e Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri, ka dalë në terren për të parë nga afër punën e operatorëve privatë.

Në fund, Rama u ka kërkuar falje qytetarëve për gjendjen me mbeturinat, duke thënë se pasojat e bllokadave të pretenduara po i përjetojnë pikërisht ata.

“Ju kërkojmë falje për gjendjen. Bllokadat janë jashtë duarve tona, por pasojat po i përjetoni ju. Për me gjetë alternativa e me i vu në punë, po na duhet kohë”, ka shkruar Rama.

Reklamë