Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se do ta mposhtte lehtësisht Barack Obamën në një përballje hipotetike zgjedhore.

Gjatë një interviste me komentatorin sportiv Stephen A. Smith, të publikuar të enjtenr, Trump e cilësoi ish-presidentin demokrat si “shumë të mbivlerësuar”, raporton Anadolu.

“Po, mendoj se do ta mposhtja lehtësisht”, tha Trump, duke iu përgjigjur pyetjes për një garë të mundshme mes tyre.

Reklamë

Ai e mbështeti pretendimin te numri i votave që ka marrë në zgjedhje, duke përmendur rezultatet në shtete si Teksasi dhe Florida. Trump gjithashtu e kritikoi presidencën e Obamës, duke thënë se, sipas tij, kishte shkaktuar përçarje. Për veten pretendoi se i bashkon njerëzit përmes suksesit ekonomik.

Megjithatë, një përballje e tillë mbetet hipotetike. Amendamenti i 22-të i Kushtetutës amerikane ndalon zgjedhjen e një personi president më shumë se 2 herë.

Obama shërbeu për 2 mandate, nga viti 2009 deri më 2017. Trump ishte president nga viti 2017 deri më 2021 dhe u rikthye në Shtëpinë e Bardhë në janar të vitit 2025.