Njëri nga drejtuesit e organizatës së armatosur kriminale të njohur si “Barış Boyun” është arrestuar në Azerbajxhan.
Bëhet fjalë për Mehmet Recep Demir, ndaj të cilit janë lëshuar gjithsej 48 urdhër-arreste, raporton CNNTurk.
Sipas mediave turke, arrestimi i tij është kryer në kuadër të hetimeve që po zhvillon Prokuroria e Përgjithshme e Stambollit ndaj organizatës kriminale, e cila dyshohet se ka vepruar në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Demir është ndaluar dhe më pas është dërguar në paraburgim në Azerbajxhan, nën dyshimin për kalim të paligjshëm të kufirit, vepër kjo e paraparë në Kodin Penal të këtij shteti.
Ndërkohë, Prokuroria e Stambollit ka përgatitur kërkesën zyrtare drejtuar autoriteteve gjyqësore të Azerbajxhanit për ekstradimin e tij në Turqi.